Hetim Spahiut, Komisioni i ligjeve miraton kërkesën e PD-së

Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot kërkesën e deputetëve demokratë për hetimin e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu.Raportimi i nënkryetarit të KLD-së Spahiu në komisionin e ligjeve ka zgjatur vetëm pak minuta pasi ai është larguar nga mbledhja me kërkesën e kryetarit të komisionit Ilir Rusmajli. Ky i fundit ka kërkuar largimin e zotit Spahiu me arsyetimin se ai nuk po argumentonte nëse kërkesa për hetim është e bazuar në Kushtetutë apo jo.
Ndërsa relatori i çështjes, Viktor Gumi ka deklaruar se Spahiu ka shkelur Kushtetutën dhe ka të dhëna se duhet hetim. Por vetë Spahiu, që deri pak minuta më parë që ishte në mbledhje tha se në Kushtetutë nuk parashikohet shkarkimi i nënkryetarit të KLD-së apo dhe ndonjë anëtari tjetër. Gjithashtu Spahiu ka theksuar se po ushtrohet presion ndaj tij nga ana e komisionit të ligjeve. “U bë një kohë e gjatë që po më bëhet presion por unë nuk do largohem nga presionet” ka theksuar Spahiu.
Ndërkohë edhe deputetët e opozitës në mazhorancë kanë theksuar se komisioni duhet të dëgjonte Spahiun dhe jo ta largonte pasi sipas tij komisioni i ligjeve nuk bënë gjyqe. Por kryetari i komisionit Ilir Rusmajli i është drejtuar atyre me fjalët: “Jeni bërë deputetë të Spahiut?”.
Ndërkohë komisioni i ligjeve pritet t`i dërgojë parlamentit raportin për ngritjen e një komisioni hetimor për nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu. Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.
Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë se nënkryetari i KLD-së Spahiu në bashkëpunim edhe me kreun e saj Bamir Topi kanë dhunuar në mënyrë flagrante kushtetutën e vendit. “Ata i kanë lejuar vetes që institucionet të cilat i janë besuar në përputhje me kushtetutën, dhe që janë institucionet më të rëndësishme të përdoren në mënyrë të papërgjegjshme për interesa strikt partiake dhe duke dhunuar rëndë këto dy institucione” ka theksuar Berisha.
Duke iu referuar nënkryetarit të KLD-së Spahiu, shefi i qeverisë theksoi se ai ka vendosur standartet më të papranueshme pasi e ka kthyer institucionin që ai drejton në një forcë politike.