Ambasadori Withers takon Topin dhe Berishën
Diplomati amerikan ka theksuar se merita për marrjen e ftesës i takon popullit shqiptar
Marrja e ftesës për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut është meritë e gjithë popullit shqiptar që diti t'i kthejë aspiratat e veta integruese në realitet. Mesazhi ka ardhur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Withers, gjatë takimeve që ka patur dje me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidentin Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha. Fillimisht ai është pritur nga kreu i shtetit, Bamir Topi, i cili i shprehu kënaqësinë e tij për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë në këto 17 vite tranzicion politik. Presidenti Topi, pasi e falënderoi ambasadorin Withers dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme dhënë vendit tonë nga Shtetet e Bashkuara, vuri në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të ndihmesës së aleatit dhe mikut më të madh të shqiptarëve, presidentit Bush së bashku me qeverinë amerikane në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë. Presidenti Topi garantoi diplomatin amerikan se procesi integrues i Shqipërisë në strukturat Euroatlantike, edhe pas marrjes së ftesës në Bukuresht, do të intensifikohet edhe më tej me kryerjen e reformave të rëndësishme si ajo zgjedhore, me luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe arritjen e plotë të të gjitha kritereve dhe standardeve të kërkuara si dhe me vazhdimin e luajtjes së rolit moderator, në interes të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon e më gjerë. Ambasadori Withers, pasi i shprehu kreut të shtetit urimet më të përzemërta për ftesën e marrë nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior, theksoi se falënderimi dhe mirënjohja e vërtetë u takon dhe është për vetë shqiptarët, të cilët nëpërmjet punës së jashtëzakonshme dhe të suksesshme, po i kthejnë aspiratat e tyre integruese në realitet. Më pas, gjatë mesditës, ambasadori amerikan për afro 1 orë ka drekuar me kryeministri Sali Berisha në Vilën Qeveritare Numër 30. Siç mësohet nga burime pranë Kryeministrit, edhe gjatë këtij takimi, biseda është përqendruar pikërisht tek marrja e ftesës për anëtarësim në NATO dhe sfidat që e presin në të ardhmen Shqipërinë. Kryeministri mësohet të ketë falënderuar Ambasadorin amerikan, për mbështetjen që presidenti Xhorxh W.Bush i ka dhënë Shqipërisë në këto vite.