E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Reformat, tregues i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë

Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha u ndal në debatin mbi pavarësinë e institucioneve në Shqipëri, duke theksuar se qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar në këtë drejtim.
“Dua të theksoj se qeveria ime dhe unë jemi tërësisht dhe thellësisht të angazhuar për pavarësinë e institucioneve. Jemi ne që kemi çelur siparin e rëndësisë së madhe të institucioneve të pavarura për vendin dhe jemi më të interesuar se kushdo tjetër për pavarësinë e këtyre institucioneve, por për një pavarësi reale, të vërtetë të tyre. Sikundër, jemi ne të votë besuarit e shqiptarëve, që kemi detyrimin madhor të procedojmë me reformat, ashtu siç po bëjmë ndërkohë”, u shpreh Kryeministri.

Bush, votëbesim për reformat e qeverisë
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë Sali Berisha, iu referua edhe njëherë aktit historik të firmosjes së protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga presidenti Bush. Sipas Kryeministrit, firmosja nga Presidenti Bush, i ligjit të Senatit Amerikan për Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ishte votëbesim i madh për reformat e qeverisë shqiptare dhe vlerësim i jashtëzakonshëm i përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut.
Berisha tha se, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, kjo është firma më e rëndësishme, është ngjarja më kulmore në historinë e marrëveshjeve dypalëshe.
“Kjo firmë ndryshon historinë e shqiptarëve, që, ashtu siç tha edhe Presidenti amerikan, u jep garanci të plota lirive të shqiptarëve. Në rast se ndokush do të cënojë këto liri, Presidenti Bush theksoi se ai do të përballet me kombet anëtare të NATO-s, ku vend lider i kësaj Aleance janë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh kryeministri.
Duke shprehur falënderimin për besim e madh të treguar për reformat e qeverisë, kreu i qeverisë theksoi se këto reforma kanë sjellë ndryshime të mëdha, impresionuese, që bënë të mundur këtë akt madhor, historik, në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe realizimin e njërit prej dy projekteve kryesore të kombit tonë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Kjo firmë është akti i besimit dhe vlerësimit të madh, por, është edhe akti i përgjegjësisë së madhe për ne, që, në tërë veprimtarinë tonë, duhet të bëjmë çdo përpjekje për të konsoliduar në Shqipëri standarde, norma, kritere, praktika të denja për një vend anëtar të NATO-s”.
Kryeministri i shprehu mirënjohjen Presidentit amerikan, duke nënvizuar se me këtë firmë, Bush përmbushi, në një kohë rekord, dy premtimet dhe mesazhet e mëdha që ai përcolli gjatë vizitës së tij në Shqipëri: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO.
“Dua të garantoj se ne do të ndërmarrim të gjitha reformat për konsolidimin më tej të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Ne jemi para një procesi zgjedhor dhe, në detyrimin tonë më madhor, është të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të mira, më të mira, më dinjitoze që ka njohur ndonjëherë”, tha kryeministri Berisha.

Imazhi i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi
Në vijim, kryeministri solli në vëmendje vlerësimet pozitive të institucioneve dhe raporteve ndërkombëtare për reformat në Shqipëri, duke nënvizuar se këto raporte tregojnë se imazhi i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi.
“Në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator të këtij viti, raporti ‘Të bësh Biznes’ do të rendiste Shqipërinë në vendin e dytë në botë për reformat në fushën e tregut dhe do të tregonte se Shqipëria la pas 169 vende për sa i përket garancisë së investimeve, 167 vende për sa i përket kreditit të ekonomisë, 164 vende për koston dhe kohën e regjistrimit të biznesit dhe se Shqipëria merr 96 pikë, nga 100 pikë të mundshme për liritë fiskale”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, vijoi kryeministri, edhe Transparency International do të faktonte se Shqipëria renditet në 10 vendet më të suksesshme në botë për luftën kundër korrupsionit. Edhe raporti i “Freedem House” tregoi se Shqipëria ka një përmirësim të ndjeshëm të treguesve të lirisë dhe se është vendi i cili respekton më shumë institucionet e pavarura, ose që ka bërë më shumë për pavarësinë e tyre, në Ballkan.
“Ishte raporti për shtypin e lirë që tregonte se Shqipëria është spostuar nga renditja në fundin e botës për këto çështje dhe ka lënë pas mbi 100 vende”, tha kryeministri.
Të gjitha këto, theksoi kryeministri Berisha, janë arritje të mëdha, por, mbi të gjitha, janë inkurajim i madh për të vazhduar me vendosmëri këtë program.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›