E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ambasadorëve: Objektivi juaj, bashkëpunimi ekonomik me vendet e tjera

Është mbledhur dje në Tiranë Konferenca vjetore e Ambasadorëve shqiptarë në Botë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha si dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini dhe mjaft personalitete të tjera të politikës.
Franco Frattini, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë i cili ishte i ftuar nderi në konferencën e ambasadorëve, konfirmoi rëndësinë e diplomacisë ekonomike, duke vënë në dukje se “për Italinë diplomacia ekonomike përfaqëson një nga misionet themelore”. Në këtë drejtim, ai i konsideroi ambasadorët shqiptarë në botë si “kartvizita e imazhit të vendit”.
Ministri i Jashtëm italian vuri në dukje kontributin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe angazhimin e saj me forca paqeruajtëse në Afganistan. Kreu i diplomacisë italiane kërkoi që “Shqipëria të bëjë përpjekje të mëdha për realizimin e reformave që ka nisur, veçanërisht për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian”.
Ndërkohë, sipas kryeministrit të vendit, Sali Berisha, diplomacia shqiptare duhet të jetë shumë aktive në drejtim të promovimit të imazhit të vendit. Kryeministri Sali Berisha kërkoi më shumë përkushtim nga puna e ambasadorëve shqiptarë në botë, duke deklaruar se misioni i tyre nuk duhet të qëndrojë vetëm në kornizat politike, por të përhapet në ato ekonomike. Kreu i qeverisë Berisha vuri në dukje se “ambasadorët duhet të ndryshojnë veten e tyre nga punëtorë politikë duhet të shndërrohen në punëtorë ekonomikë”.
“Nuk ka rrugë më të sigurt që ju mund të kontribuoni në marrëdhëniet me vendet e tjera sesa bashkëpunimi ekonomik”, theksoi kryeministri, duke shprehur besimin se “ju do ta përmbushni me dinjitet këtë objektiv”.
Në fjalën e tij gjatë takimit me ambasadorët, Presidenti i Republikës, theksoi se “Shqipëria nuk është parajsa mbi tokë. Ndaj sipas tij “Së pari ata duhet të jenë të sinqertë në pasqyrimin si të arritjeve ashtu edhe të vështirësive që has demokracia jonë e re. Së dyti, ambasadorët shqiptarë, por edhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të përcjellin në një kohë sa më të shpejtë këshillat e kancelarive perëndimore dhe miqve tanë për zhvillimet në Shqipëri. Së fundmi, diplomatët shqiptarë nuk duhet të rreshtin së trokituri në dyert jo vetëm të institucioneve zyrtare, por sidomos të mediave të huaja, të organizatave jofitimprurëse, të opinionbërësve dhe të biznesit, të elitave intelektuale dhe kulturore me qëllim që Shqipëria dhe zhvillimet e saj pozitive të pasqyrohen me realizëm, me qëllim që opinioni publik i vendeve ku janë akredituar të perceptojë dhe të na gjykojë mbi vlerat dhe traditën që mbartim dhe përpiqemi të pasurojmë”.
Sipas kreut të shtetit “Qëllimet dhe aktiviteti diplomatik i Shqipërisë në radhë të parë të shikojnë drejt Brukselit, të shumojnë kontaktet me NATO-n dhe Bashkimin Europian”. Deklaroi presidenti Topi.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›