Berisha: Revanshi të verbon, të bën Enver por edhe Don Kishot!
Reagimi/Rama është vetëshpallur kryeministër, pa pyetur presidentin dhe parlamentin
Kryeministri Sali Berisha komenton të ashtuquajturën “zyrë të Kryeministrit të zgjedhur” në PS, duke deklaruar se Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjithë Republikave parlamentare e Mbretërive konstitucionale të Europës, nuk njohin kryeministër të zgjedhur, pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetët, kurse kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe të gjithë votëbesohen në Parlament.
Deklarata/“Për Edi Ramën dhe 63 deputetët e tij nuk ekzistojnë institucionet kushtetuese të vendit”
“Nga Republika parlamentare tek Republika e Edi Ramës”! Kështu e nis reagimin e tij në Facebook kryeministri Sali Berisha, duke komentuar situatën dhe lëvizjet e lidershipit socialist, që prej zgjedhjeve të 23 qershorit. Berisha thotë se me ngritjen e zyrës së “Kryeministrit të Zgjedhur”, Rama është duke anashkaluar institucionet kushtetuese si Presidenti dhe Parlamenti. “Të dashur miq, z.Rama ka hapur në selinë mavi, ngjitur me zyrën e tij prej kryetari të PS, zyrën e tij të “Kryeministrit të zgjedhur”. Në Kushtetutat e vendeve të lira, President apo Kryeministër i zgjedhur njihet vetëm Presidenti dhe Kryeministri që zgjidhen direkt nga populli në periudhën nga dita e fitores së zgjedhjeve deri ditën e inaugurimit në detyrë. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjitha Republikave parlamentare dhe Mbretërive konstitucionale të Europës nuk njohin Kryeministër të zgjedhur pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetët kurse vetë kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai theksoi se për Ramën dhe 63 deputetët e tij nuk ekzistojnë institucionet kushtetuese të vendit, ndërsa vijoi se, revanshi po e bën Edi Ramën sa Enver aq edhe Don Kishot. “Këto norma themelore kushtetuese, institucionet kushtetuese të vendit, Presidenti dhe Parlamenti nuk ekzistojnë për Edi Ramën me 63 deputetët e tij. Ai është vetëshpallur kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevoje te emërohet nga Presidenti as dhe të votëbesohet nga Parlamenti. Revanshi të verbon, të bën dhe Enver por dhe Don Kishot! Ndryshim! Përpara drejt të shkuarës!”- përfundon reagimin e tij, kryeministri Sali Berisha.