E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ndihmuam me 60 mijë vota, mandatet e deputetëve të PS-së

13-07-2013 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së bëri leximin e parë publik për mandatet e deputetëve, duke deklaruar se për mandatet e partisë së tij do të mjaftonin vetëm 120 mijë vota, ndërkohë që 60 mijë të tjerat kanë shkuar për homologimin e mandateve të Partisë Socialiste 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, si dhe nga i gjithë ekipi i kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 23 qershorit, ka zhvilluar një takim në qytetin e Beratit, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së në këtë qytet për rezultatin e jashtëzakonshëm që arriti LSI atje. Z. Meta deklaroi se ishte një fitore mjaft e bukur e gjithë fitorja e LSI-së në të gjithë Shqipërinë, por fitorja më e bukur është ajo e qarkut të Beratit. “Ka qenë një fushatë e gjatë për të gjithë ne, ka qenë një fushatë e gjatë edhe për mua. Një fushatë që ndoshta zgjati për të paktën një vit pa ndërprerje, por falë optimizmit tuaj, falë besimit tuaj te një rezultat spektakolar, ashtu siç ndodhi në qarkun e Beratit, unë sa herë që vija në Berat e filloja fushatën nga e para”, tha ai. Nga 180 mijë votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta llogarit se 60 mijë janë përkthyer në mandate parlamentare për pjesën tjetër të koalicionit. Një kontribut për të cilin Meta, nga Berati, u shpreh shumë krenar.
Duke përfunduar z. Meta premtoi se LSI do t’i ndjekë me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që ka bërë në Berat për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit. “Do t’i ndjekim me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që kemi bërë këtu për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojmë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht unë ju jap fjalën se do të jemi akoma më pranë, do të jemi akoma më të lidhur me njëri - tjetrin dhe pas 23 qershorit gjithmonë kam qenë krenar që edhe unë jam nga Qarku i Beratit siç jeni ju të gjithë, por pas 23 qershorit jam akoma më krenar sepse ne e mbajmë fjalën, sepse ju e mbani fjalën”- tha ai.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›