Berisha: Rritja e pagave dhe pensioneve përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, asnjë qindarkë e marrë borxh
Qeveria merr zyrtarisht vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve për 800 mijë qytetarë. Akuzat e PS, produkt injorance - qeveri në detyrë është vetëm ajo e një kryeministri të dorëhequr
Këshilli i Ministrave zhvilloi dje mbledhjen e saj të radhës duke jetësuar vendimin e paralajmëruar që në qershor atë të rritjes së pagave dhe pensioneve. Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në këtë takim të ekzekutivit sqaroi në detaje rritjen për çdo kategori, si dhe saktësoi se rritja e cila qenë e përvitshme është përballuar nga të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke mos marrë asnjë qindarkë borxh. Njëkohësisht kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet se nuk ka para për rrogat. Sipas tij, ka para për çdo rrogë dhe fondi i tyre është 100 % i garantuar. Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të socialistëve për vendimet që po merr qeveria para përfundimit të mandatit të saj. Kryeministri i cilësoi si injorancë deklaratat e mazhorancës së re se, qeveria është një qeveri kujdestare dhe nuk duhet të marrë vendime.
Rritja e pagave
Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit rritja e pagave dhe pensioneve ka qenë një politikë konstante e qeverisë së drejtuar prej tij. Vendimi parashikon rritjen e pagës mesatare të institucioneve buxhetore me 5.4 përqind, ndërsa nuk do të rriten pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. “Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë një objektiv madhor i kësaj qeverie në çdo mandat e çdo vit të qeverisjes së saj. Ne e kemi bërë këtë me bindjen më të thellë se investimi në burimet njerëzore është investimi më kryesor. Në këtë kontekst, rritja e rrogave për administratën është pa mëdyshje, një stimul, një motivim për punonjësit e administratës, për një përkushtim më të madh e performancë më të mirë, por edhe ka bërë e bën më të lakmueshëm vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona. Normalisht, ky vendim duhej të merrej në muajin qershor, por nuk e morëm atëherë, vetëm për të shmangur çdo lloj keqkuptimi të përdorimit të tij për qëllime elektorale. Ndaj, ne e shmangëm dhe kemi vepruar shumë drejtë. Partia Demokratike, qeveria e saj i përmbahen disa parimeve shumë solide, të ndershme e të drejta, në raport me votuesin. Por ky vendim është shpallur që në qershor se do të bëhej dhe u shty pas zgjedhjeve, pikërisht për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij”- u shpreh kryeministri. Sipas vendimit të qeverisë paga mesatare rritet me 5.4 % pra rritet 2.7 % herë më shumë se inflacioni. Në këtë vendim përfshihet rritje page për sektorin mbështetës në administratën, e cila shkon nga 35 mijë lekë në mbi 37 mijë lekë. Paga për arsimtarët shkon në mbi 54 mijë lekë, pagat e policisë në 57 344 mijë e lekë. Është parashikuar gjithashtu rritje page për forcat të armatosura, por jo për pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit. Sipas, kryeministrit, rritja e pagave dhe pensioneve përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, asnjë qindarkë e marrë borxh. “Pikëpamjet se nuk do të ketë para për rroga janë keqdashëse. Ka para për çdo rrogë, fondi i tyre është 100 % i garantuar. Çdo vit qeveria në këtë periudhë ka marrë masat për shkurtimin e shpenzimeve të tjera në maksimum, kjo sepse shpenzimet e fundvitit janë shpenzime që u bie eficenca, kemi bërë rirregullim të buxheti. Nëse qeveria e re do mund t’ia paraqesë parlamentit këtë praktikë”, u shpreh Berisha.
Vendimi për rritjen e pensioneve
Në vlerësimin e kryeministrit Sali Berisha rritja e pensioneve është një lajm i mirë për gjysmë milionë shqiptarë në pension, pasi po shkohet drejt respektimit të kritereve më të shëndosha në raport me rrogat e pensionet. Vendimi parashikon rritjen në masën 4 % të pensioneve për një numër prej 590 mijë personash. Rritja më e madhe ndodh në fshat, do të jetë 5 %. “Rriten me 4 përqind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pensionet për merita të veçantë, pensionet e posaçme shtetërore apo shtesat mbi pensionin e posaçëm shtetëror, ndërkohë inflacioni ka qenë 2 përqind. Rritje më të madhe, në përputhje me qëndrimin tonë, njohin pensionet në fshat, me 5 përqind, pra, 2.5 herë më e madhe se rritja e inflacionit. Me këtë rritje, në qytet nuk do të ketë pension minimal nën 12 024 lekë. Të ardhurat pensionale janë më të mëdha, pasi po flasim për pensionin. Sikundër, në përputhje me ligjin, nuk do të ketë pension më të madh se dyfishi i tij prej 24 000 lekë. Në fshat, në rast se pensioni minimal ka qenë 3400 lekë, ai arrin në 8233 lekë, pra, rritet me dy herë, ndërsa në vite në tërësi është rritur më shumë se dyfishi. Të ardhurat pensionale minimale, duke përfshirë kompensimet për energjinë, telefonata, rriten nga 13 700 lekë në 14 174 lekë për pensionet minimale. Pra, çdo pensionist ka të ardhura, pension plus shtesa që subvencionohen, 14 174 lekë. Të ardhurat pensionale maksimale në qytet rritet nga 23 623 lekë në 24 548 lekë. Pensioni minimal në fshat nga 3400 lekë në vitin 2005, një vit më parë ishte 7841 lekë dhe bëhet 8233 lekë. Të ardhurat pensionale në fshat nga 8731 lekë arrijnë në 9123 lekë në muaj.
Mendoj se, për mbi gjysmë milioni shqiptarë me pension pleqërie apo pensione të tjera, ky është një lajm shumë i mirë. Natyrisht, pensionistët meritojnë më shumë, por po shkohet drejt respektimit të kritereve më të shëndosha të raportit rroga/pensione. Po bëhet gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre dhe për pensionistët, në këto pensione e të ardhura nuk është i llogaritur fakti që 92 përqind e të gjitha barnave që ata përdorin për mjekimin e tyre i kanë plotësisht të rimbursueshme”- tha kryeministri.
Sa rriten pagat dhe pensionet
Qeveria vendosi dje rritjen mesatare me 6% e rrogave të punonjësve buxhetore dhe rritjen e pensioneve në qytet me 4% dhe pensioneve në fshat me 5%. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve është 2-3 here me e madhe se sa rritja e inflacionit vjetor prej 2%. Me këtë rritje paga mesatare në Shqipëri rritet nga 50 100 në 52 782 mijë lekë në muaj. Kështu për punonjësit mbështetës të institucioneve buxhetore paga mesatare rritet në 37 199 lekë në muaj; për punonjësit e administratës qendrore 67 222 lekë; për mësuesit 53 342 lekë; për mjekët 58 098 lekë; për infermieret 37 854 lekë; për ushtarakët 43 472 lekë; për policinë 57 344 lekë. Nuk rriten rrogat më të larta. Kurse pensioni minimal në qytet rritet në 12 024 lekë, ndërsa të ardhurat pensionale minimale, përfshirë kompensimet, rriten në 14 174 lekë, kurse pensionet minimale në fshat rriten në 8 233 lekë dhe të ardhurat pensionale minimale në fshat rriten në 9 123 lekë. Nuk është llogaritur këtu rimbursimi i plotë i mbi 92% të ilaçeve që marrin pensionistët.