Berisha: Rruga Tiranë-Elbasan, dëshmi e forcës ekonomike të vendit, përfundon mandatin tjetër

Sali Berisha
Kryeministri Berisha e ka cilësuar dëshmi të kristaltë të forcës ekonomike të vendit ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve sot paradite, Berisha u shpreh se rruga Tiranë Elbasan, një projekt që do të finalizohet në mandatin e ardhshëm, përbën veprën tjetër madhore në projektin e infrastrukturës për të bërë Shqipërinë vend i zhvilluar.
Kjo rrugë bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga tregjet më të mëdha në mbarë rajonin. Ajo afron me kryeqytetin një nga zonat më prodhuese të Shqipërisë, Korçën. Kjo rrugë shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit. Javën që vjen inagurojmë fillimin e punimeve në të gjitha segmentet e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, duke bërë që e gjithë Shqipëria ta kapë Tiranën në një kohë 70 për qind më të shkurtër, tha ai.
Kreu i qeverisë ftoi opozitën të vizitojë punimet e rrugës, sipas tij në shenjë pendese për kundërshtimet e saj në seancën parlamentare ku u votua buxheti i saj.
Është dëshmi e kristaltë e forcës ekonomike të këtij vendi. Është përgënjeshtrimi më i shkëlqyer i lotëve të krokodilit që kollagjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë. Ftoj opozitën në një vizitë të rrugës, si një akt pendese, për ta kuptuar se çfarë energjie negative krijuan në Parlament duke e bllokuar për 23 orë, ku votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore, të mos korrigjohesh është marrëzi, përfundoi kryeministri. / G.N.