"Tiranë-Elbasan", Berisha: Rruga impakt për qytetarët
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inagurimin e fillimit të punimeve të rrugës Tiranë-Elbasan .Në fjalën e tij, kryeministri Berisha se kjo autostradë së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptar.
“Kjo që së bashku me tunelin do ketë gjatësi 31 km bën të mundur një lëvizje me 120 km/h duke kursyer kështu të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria qendrore juglindore por edhe udhëtarëtve nga Shkupi, Struga, Tetova së paku 50 minuta, ndërsa transportit të rëndë mbi 1.5 orë udhëtim. Kjo përbën veprën tjetër madhore në projektin e infrstrukturës për të bërë Shqipërinë vend i zhvilluar. Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 13-17”- tha Berisha.
Sipas tij, Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton një vend me infrastrukturë moderne në çdo skaj në çdo cep në çdo vend të saj, si kusht i të gjitha kushteve për të shndërruar në vlera për qytetarët shqiptarë pasuritë e mëdha përrallore që ka vendi në energji, turizëm, biodiversitet, miniera.
“Ky është njëri ndër vendet më të pasura në rajon e Evropë. Qeveria është e angazhuar që brenda këtij viti të nisë ndërtimin e tunelit të Qafë Murrizit në mënyrë që rruga e fluksit të përjetshëm të shqiptarëve të përfundojë në kohën më të shkurtër. Kjo rrugë është më nevralgjiku, i rëndësishëm i të gjithë infrastrukturës së vendit, segmentin kryesor në territorin shqiptar të korridorit tetë, bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga tregjet më të mëdha në mbarë rajonin tonë” theksoi Berisha.
Ndërsa e ka cilësuar rrugën si dhuratë të madhe për shqiptarët në 100 vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Berisha theksoi se tuneli i kësaj rruge do të kujtohet si tuneli i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Ky tunel do të mbahet mend në shekuj dhe mijëvjeçarë si tuneli i 100-vjetorit të pavarësië. Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë është dëshmi i përformacës ekonomike të shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi dhe është përgënjeshtrimi i lotëve të krokodilit që kollagjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë” theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu ftoi opozitën të vizitojë rrugën si një akt pendese për ergjitë negative që i kanë atribuar kësa rruge. “Ftoj opozitën në një vizitë kolektive, si një akt pendese, sepse pendesa është tipar i njeriut të qytetëruar.Ftoj të vijnë ta vizitojnë për ta kuptuar që çfarë energjie negative krijuan në Parlament kur votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore por të mos korrigjohesh është marrëzi prandaj uroj dhe shpresoj që të pendohen për veprimin e tyre” shtoi Berisha.