Ja pse duhet ndryshuar himni
Naser Aliu
A diskriminohet gruaja shqiptare në himnin kombëtar? Jo! Për t u diskriminuar duhet së pari të ekzistojë njeriu. Gruaja shqiptare nuk diskriminohet në himn, por i mohohet ekzistenca. Në himn ne jemi komb vetëm mashkullor. Në himnin e flamurit i mohet ekzistenca asaj, që kishte qëndisur flamurin. Por, pse u çnjihet kjo e drejtë Elva Tares, Elsa Ballaurit e Valbona Karakacit dhe grave tjera përfshirja në këngën e vetme, që është kodifikuar në kushtetutë, u arsyetua në shumë mënyra, u përligj me traditën, me të drejtën e autorit dhe u thanë shumë mendime me prejardhje dhe bindje heterogjene…
Austriakët e ndryshuan himnin se nuk dëshironin ta diskriminojnë gruan austriake apo për të mënjanuar një ndjenjë dhe një mundësi të tillë. Në himnin gjerman shkruan në mashkullore dy herë të bashkohemi vëllazërisht dhe dy herë kemi refrenin: gratë gjermane, besnikëria gjermane. Asnjë fjalë për burra apo trima mashkullorë. Herë pas here kanë luftuar edhe gjermanët. Gratë gjermane nuk kanë marrë pjesë drejtë për drejtë në luftë, por gjermanët nuk u mohojnë grave të veta: nënave dhe motrave kontributin në shoqëri. Pse? E thjesht, himni nuk këndohet vetëm gjatë shkuarjes në luftë, mund të jetë njëra ndër arsyet. Ndoshta edhe pse paqja zgjat më shumë se lufta. Edhe këta dy popuj kanë pasur traditë diskriminim, por nuk dëshirojnë ta helmojnë ashtu edhe brezin e ardhshëm.
Për shumë veta tek ne, gjermanët dhe austriakët janë të prapambetur pse i duan gratë, nënat dhe bijat e veta, edhe me himn. Kombi jonë për fat të mirë posedon edhe gra. Pas debatit televiziv tek tonight Ilva Tare, tek oranwes, nuk mund të thuhet më se himni duhet modifikuar, përmirësuar, por duhet zëvendësuar me një himn shqiptar. Mbetja e këtij himni, i përshtatur në shqip nga Asdreni, nga një poezi rumune, duke cenuar të drejtën autorit rumun, është një dëftesë e mjerimit intelektual shqiptar.
Nëse Turqia paska pasur apo ka një himn shkruar nga një shqiptar, kjo mund të arsyetohet; ishim qytetarë të saj, por poeti rumun, nuk ka qenë kurrë qytetar i Shqipërisë. Për ta vlerësuar drejt himnin, nuk duhet gjykuar me emocione, por duhet të vendosë mendja e shëndoshë, jo duke e dëgjuar në një rast solemn dhe duke u ndikuar nga turma dhe shpirti i saj, por duke përpunuar semantikën e tij. T i lexojmë së bashku vargjet, dhe të shohim kuptimin e tyre, në këtë mënyrë kuptojmë edhe kohën, që e solli dhe koha që e pranoi dhe arsyen:
Rreth flamurit të përbashkuar; Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar; Të lidhim besën për shpëtim.
Tek strofa e parë gati-gati mund të supozohet se kushtrimi vlen për të gjithë, por në vargjet më poshtë, shihet se me të gjithë mendoheshin vetëm burrat, sepse gratë nuk përfshiheshin askund në jetë. Ishte kohë kur fëmija nuk përqafohej, ishte kohë kur gruaja blihej e shitej, ishte kohë kur rrahja e gruas konsiderohej trimëri. Ishte kohë kur vrasja e njeriut quhej krenari: Kohë kur mësohej smira, hakmarrja, xhelozia, urrejtja, gjinofobia, mizogjinia, kurse dashuria konsiderohej krim dhe vepër penale…Edhe pse strofa e parë është e vetmja, që mund të konsiderohet e pranueshme, ky himn, me këtë tekst, nuk është himn kombëtar, por himn mashkullor, tej për tej.