E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fitorja në 23 qershor e merituar, reformat garantuan rritjen ekonomike në kohë krize

22-01-2013 / Gazeta 55

Kryeministri flet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, për përgatitjet e selisë blu, përgatitet e Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai theksoi se PD meriton një mandat të tretë qeverisës, pasi me reformat e shqyrtuara dhe të miratuara u bë e mundur që Shqipëria në kohën më të vështirë të ekonomisë evropiane dhe botërore të qëndrojë si një ishull i rritjes ekonomike dhe punësimit të vazhdueshëm

 Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar demokrat, se përgatitjet e selisë blu janë për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, që siç u shpreh ai, kjo forcë politike e meriton në sajë të reformave që ka kryer. Kreu i qeverisë tha se falë këtyre reformave, Shqipëria qëndroi si një ishull i rritjes ekonomike dhe punësimit pavarësisht krizës evropiane. “Këta muaj të fundit të jetës së kësaj legjislature do të jenë, njëkohësisht, muajt e përgatitjes së gjithanshme të fitores së shkëlqyer, të fitores së thellë dhe të plotë të 23 qershorit, fitore plotësisht e merituar. Fitore e merituar, sepse me reformat e shqyrtuara, të votuara, të miratuara në këtë Parlament u bë e mundur që Shqipëria, në kohën më të vështirë të ekonomisë evropiane dhe botërore, të qëndrojë si një ishull rritjeje ekonomike, si një ishull punësimi të vazhdueshëm, si një ishull që nuk ra në recesion. Këto janë të vërtetat tona më të mëdha. Këto reforma bënë të mundur vendosjen e Shqipërisë në vendin e katërt në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Këto reforma bënë të mundur që me gjithë përpjekjet më absurde, më destruktive të opozitës, Shqipëria të rekomandohet nga Komisioni Evropian për statusin e vendit kandidat, por që në emër të testamentit të etërve neobllokmenët po e bllokojnë me votat e tyre në Parlament”, u shpreh Berisha.
Kryeministri pranoi se në këtë periudhë problematikat janë të shumta si papunësia dhe varfëria, por sipas nga përballimi i suksesshëm i këtyre sfidave Shqipëria është i vetmi vend që papunësia nuk u rrit. “Natyrisht, në këtë periudhë sfidash të mëdha edhe problematikat janë të shumta. Ka papunësi, ka varfëri, ka mungesa, por nga përballimi i suksesshëm i këtyre sfidave, siç thotë edhe Komisioni Evropian, Shqipëria është i vetmi vend që nuk u rrit papunësia, por u ul. Sepse kjo ka qenë koha kur papunësia në vende të tjera  është rritur me 2.5 herë. Sigurisht, jashtë krize rritja jonë ekonomike do të ishte dyshifrore, por problemi është se tremujorin e kaluar rritja më e madhe ekonomë në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian ishte 0.7 për qind dhe kjo rritje në Shqipëri ishte 2.7 për qind. Në Shqipëri ishte fiks katër herë më e madhe. Kjo në sajë të punës, mundit, djersës dhe suksesit të reformave tona”, tha ai.
Kreu i qeverisë përmendi arritjet ekonomike të Shqipërisë në këto vite falë projekteve të qeverisë së tij. Në këtë drejtim, Berisha i kushtoi vëmendje projekteve të ardhshme me kontribut direkt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve siç janë ndërtimi i kaskadës së Devollit, gazsjellësi Trans Adriatik dhe qindra projekte të tjera të sektorit publik. “Janë hedhur bazat për një rritje më të fuqishme ekonomike këtë vit. Dhe ky vit, ndër të tjera, është viti i projekteve më gjigande që vendi ka njohur në tërë historinë e tij, viti i kaskadës së Devollit, viti i fillimit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Por krahas këtyre dy mega-projekteve ekzistojnë edhe qindra e qindra projekte të tjera të sektorit publik, dhe qindra e në mos mijëra të sektorit privat, në të katër anët e vendit. Faktikisht, më duhet të them këtu me dhimbje dhe keqardhje, Shqipëria është ndarë si kurrë ndonjëherë tjetër në dy: në Shqipërinë e Rognerit, të Sheratonit dhe qendrave të qyteteve, në të cilat shqiptarët marrin çdo ditë njoftime dhe lajme nga mediat e shumta dhe në Shqipërinë e padukshme, në të cilën zhvillohet një veprimtari intensive zhvilluese, në të cilën sipërmarrja private bëhet gjithnjë e më e fuqishme, në të cilën në të katër anët e vendit po ndërtohen me dhjetëra hidrocentrale. Po vij nga zyra ime ku takova një kompani, e cila ndërtonte në Skrapar një hidrocentral 15 megavat dhe po përgatitej për hidrocentralin tjetër, akoma edhe më të madh”, deklaroi kryeministri.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›