Berisha-Ruçi, përplasje edhe për kollaren

Parlamenti është shndërruar në tribunë prej nga dy partitë e mëdha nuk lënë asnjë rast për të nxjerrë në pah anët pozitive dhe negative të secilës palë. Këtë herë, nxitja erdhi nga ndryshimi i kontratës për ndërtimin e kaskadës së Devollit, ku gjiganti norvegjez “Stadkraft” mori të gjitha aksionet dhe pritet të nisë së shpejti ndërtimin e tri hidrocentraleve, raporton TCH.
Kryeministri Berisha iu referua politikes së ndjekur për zhvillimin e energjisë së rinovueshme si mënyra e duhur për hapjen e vendeve të punës në këta katër vjet, por ai thotë se me gazsjellësin “Trans-Adriatik” dhe kaskadën e Devollit, vendet e punës do të dyfishohen.
“Dhe në rast se në këtë mandat u punësuan, morën rroga 15 mijë familje shqiptare, në mandatin e ardhshëm, në këto vepra do të punësohen së paku 30 mijë shqiptarë. Do të bëjmë gjithçka për lehtësirat fiskale ndaj biznesit. Ne duam që shqiptarët, të djathtë, të majtë, pa parti, të punësohen dhe vetëm të punësohen”, deklaroi Berisha.
Por opozita, e cila votoi pro kontratës me “Statkraftin” norvegjez, megjithë kritikat për vonesën në fillimin e punimeve dhe për atë që e quajti mungesë transparence në transferimin e aksioneve, paraqiti një situatë të zymtë, kur i kërkoi kryeministrit Berisha të jepte llogari për mandatin që po mbyllet.
“Je në fund të mandatit dhe duhet të japësh llogari për dështimet, duhet të japësh llogari për papunësinë, duhet të japësh llogari për varfërinë, duhet të japësh llogari për korrupsionin, për kriminalitetin, për gjithçka e ke premtuar, qe po t'i kapësh një nga një, nuk i ke realizuar. Kjo është detyra juaj si kryeministër”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar socialist, Ruçi.
Berisha dhe Ruçi debatuan nxehtë edhe për taksimin e rrogave, kurse në një moment Ruçi tha se “po e nis si asnjëherë tjetër me kryeministrin për ngjyrën e kravatës. Mirëserdhe tek ngjyra e Rilindjes Shqiptare”.
Kësaj batute, Berisha iu përgjigj: “Zoti Ruçi, nuk ke faj ti se edhe ngjyrat ua ka ngatërruar piktori me zhgarravinat e tij. Kjo nuk është mavi, siç jeni ju partia mavi”./Indeksonline/