Takohen “fshehtas”

Jakup Krasniqi dhe Albin Kurti janë takuar të hënën në një restorant në periferi të Prishtinës, por takimi nuk është bërë publik. Derisa Krasniqi e pranon takimin, në Vetëvendosje nuk kanë përgjigje për temat e biseduara.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar në fillim të kësaj jave me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Gjatë ditës së hënë ata janë takuar në njërën nga qendrat tregtare në Veterrnik, por takimi është mbajtur fshehur sikurse nga partia e Kurtit, gjithashtu edhe nga Kuvendi i Kosovës, shkruan Zëri.
Burime të besueshme që kanë treguar për takimin kanë deklaruar se gjatë qëndrimit me njëri- tjetrin, Kurti e Krasniqi kanë biseduar sikurse të ishin dy miq të vjetër.
Takimi i liderit të Vetëvendosjes dhe kryeparlamentarit është mbajtur në kohën kur Krasniqi i ka ftohur jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet me bashkëpartiakët e tij, përfshirë edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe gjithashtu nuk ka asnjë pozitë udhëheqësë në parti.
Takimin e ka konfirmuar Krasniqi, i cili nëpermjet mesazhit telefonik ka thënë se është punë e tij që të takohet me përfaqësues të partive të ndryshme politike.
“Unë jam në politikë dhe takohem më përfaqësues të të gjitha partive politike. Sigurisht që bisedoj edhe për zhvillimet politike”, ka thënë ai, pa e specifikuar se për çfarë është biseduar gjatë takimit.
Ndërkaq, bashkëpartiaku i tij, Erzen Vraniqi, i cili është zëdhënës i Vetëvendosjes, nuk e ka mohuar takimin, por gjithashtu nuk ka qenë në gjendje që të tregojë se çfarë është diskutuar, duke pohuar se nuk ka informata për takimin./Indeksonline/