Berisha: SHBA mbështet Shqipërinë për integrimin
SHBA- Kryeministri Sali Berisha pasi ka përfunduar vizitën e tij në SHBA ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Ai ka përgëzuar sekretaren Hillary Clinton për vullnetin dhe dëshirën për të ndihmuar Shqipërinë.
Ajo çka spikati dhe njëherë në këtë takim, ishte se Shqipëria dhe shqiptarët kanë fat që kanë një mikeshë të shquar si Sekretarja Clinton dhe qeveria e SHBA të cilët kanë vullnet dhe dëshirë të ndihmojnë Shqipërinë në të gjitha aspektet dhe padyshim kanë vlerësimin më pozitiv për shqiptarët në tërësi, respektin për përpjekjet e tyre, vlerësimin për bashkëpunimin në ato fusha ku ne bashkëpunojmë- tha Berisha
Më tej ai u shpreh se ka siguruar mbështetjen e shtetit amerikan në shumë fusha, siç është dhe ajo e integrimit evropian.
Por ajo që unë dua të informoj publikun nëpërmjet valëve të Zërit të Amerikës ishte gatishmëria, dëshira për të na ndihmuar në të gjitha fushat në mënyrë që zhvillimi i vendit të shpejtohet, integrimi i vendit në BE të shpejtohet; dëshira dhe vendosmëria për të bashkëpunuar me ne në rajon për konsolidimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit; vlerësimi për bashkëpunimin që kemi në Afganistan,- tha më tej Berisha.
Lidhur me reformën zgjedhore ai u shpreh se është drejt fundit, por futja e teknologjisë ka sjellë disa probleme.
Është bërë një punë shumë e madhe, janë formuluar shumica e kapitujve, ka mbetur një ose dy kapituj të Kodit Zgjedhor për rishqyrtimin tërësor sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe OSBE-së. Ka disa probleme që duhet të pranohen d.m.th ka një zhvendosje të madhe drejt teknologjisë, e cila nga ODIHR-i nuk shihet me kaq simpati, por ne kemi besim se ajo funksionon dhe ne e kemi pranuar edhe e pranojmë. Unë gjykoj se ky është sistemi më i mirë, sepse ky sistem i jep fund një lloj rajonizimi gjeografik të papërshtatshëm të forcave politike dhe kjo është meritë e madhe e këtij sistemi- deklaroi ai.
Gjithashtu ai tha se vendosja e sistemit elektromin e ka përmirësuar në mënyrë thelbësore përfaqësinë e zgjedhësve në parlamentin shqiptar, e kam fjalën për sistemin rajonal.