E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: SHQUP përdorej për morte e dasma, ushtarakët jo protesta, do ju heq statusin

TIRANË-Një mbledhje qeverie e karakterizuar nga nota të ashpra ka qenë tryeza ku anëarët e kabinetit u mbodhën sot në kryeministri nga kryeministri në detyrë, Sali Berisha. Pasi i bëri thirrje kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama që të mos cënojë biznesin me kërcënimet me ‘makina që presin para’, Berisha komentoi dhe vendimin e qeverisë për godinën e Shtëpisë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP). 

FINANCAT
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha i është drejtuar me një apel kreut të PS-së, kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, të mos e shtrijë luftën politike në fushën e biznesit. 

Kreu i qeverisë në detyrë përgëzoi sot administratën tatimore dhe doganat për planin në realizimin e të ardhurave. Sipas Berishës, plani u tejkalua në kohën kur socialistët bënin deklarata se qeveria e ka gropë buxhetin. 

“Përgëzoj administratën tatimore për realizimin e planit që bënë gjatë muajit korrik, në një kohë kur qeveritarët që do vijnë i binin gjoksit në diell për gropën e madhe, shulleheshin në diell dhe vazhdojnë në resorte 3 mijë euro nata dhe kur bërtisnin për gropën për gropën, unë njoftoj se administrata doganore ka funksionuar me intensitet të lartë”.

Sipas tij, synimi antishtet i Rames synonte të paralizonte administratën, por kjo nuk u arrit. “Hapja e tenderit me kushërirën për fshesën në administratë, sinjal shumë negativ që i dërgohej administratës, po kjo është një pasuri shumë e madhe e vendit. Kanë punuar nën presion dhe unë duhet ti përgëzoj sikundër zhvillime pozitive janë edhe gjendja e shkëlqyer e tregut financiar".

“Inflacioni i muajt të kaluar ishte 0.8% më i ulët se korriku i një viti më parë jo se njerëzit kanë mbyllur gojën, por sepse ka një prodhim të madh si rezultat i politikave të ndjekura të nxitjes së prodhimit. Inflacioni 1.6 % është një dëshmi e stabilitetit të shkëlqyer makro ekonomik. Po kështu ka një rritje në korrik të eksporteve të vendit me 27% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ato kanë qënë 10 miliardë, ndërsa janë 13.7 miliardë lekë këtë vit. Rieksportet, prodhimi fason, ka qënë 8.6 milardë lekë një vit më parë dhe është 11.5 miliard, duke u rritur me 20%.” 

Në këtë pikë, Berisha i ka sugjeruar Ramës të mësojë burimet ligjore të krijimit të të ardhurave.
“Nuk kanë si marrin kredi bizneset kur piktori nga mëngjesi në darkë sulmon procedurat, bizneset koncesionet. Një njeri që pas 2 javësh apo kur i takon do ulet në këtë karrige por vjen e sulmon nga mëngjesi në darkë koncesionet atë tregtare, transaksionet. Ndaj dhe i bëj thirrje të jetë i kujdesshëm, luftën politike me kundërshtarin ta bëjë si të dojë, por luftën politike të mos e shtrijë në biznese se biznesi është vend pune, të ardhura pa të cilat makineria e shtetit paralizohet” .

Berisha i sugjeroi gjithashtu Ramës të mësojë burimin e të ardhurave të shtetit para se të kërcënojë me makina prerëse parash.
“Ky është ekipi se ka një ish-guvernator aty. Tani kërkon ‘ku është makina që pret paratë për qeverinë’, po makina more zotëri është mbledhja e taksave, sa të rrish të kërkosh poshtë e përopjertë makina ku pirten paratë më mirë të mësojë burimet nga vijnë të ardhurat. Injoranca nuk është argument”.

KONCENSIONET
Më tej, shefi i qeverisë u ndal te deklaratat e kreut të PS-së, lidhur me koncesionet për HEC-et dhe bizneset.
"Rama sulmon nga mëngjesi deri në darkë koncesionet dhe biznesmenët tremben. Tani ka marrë dhe ka nxjerrë shpatën dhe bregun mavi para 2 vitesh po e kthehen në bregun mavri. I bëjmë thirrje të jetë i kujdesshëm dhe luftën politike ndaj kundërshtarit ta bëjë si të dojë, por të mos e shtrijë në luftën për biznesin sepse biznesi është punë dhe të ardhura pa të cilën makineria e shtetit paralizohet", tha Berisha.
Ai i cilësoi deklaratat për koncesionet si sharlataneske, të denja vetëm për bijtë e etërve të regjimit komunist.
"Akuzat e bëra nuk kanë asnjë të vërtetë. Ne do t'u kërkojmë të kontrollojnë çdo koncesion dhe do të gjejnë transparencën më maksimale', tha Kryeministri.
Në vijim të mbledhjes së qeverisë, Berisha u kërkoi ministrave aktuale që të informojnë kabinetin e ardhshëm mbi projektet që janë miratuar e janë për në vazhdim.

SHQUP
Kryeministri në detyrë, Berisha u ndal dhe tek vendimi i qeverisë për SHQUP, sot gjatë mbledhjes së kabinetit të ministrave.
Sipas Berishës, SHQUP kishte humbur funksionet prej 12 vitesh dhe shtoi e vendimi qeverisë që kjo godinë do bëhej seli e PD-së do të zbardhej sapo Presidenti ta dekretonte zyrtarisht.

“SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni. Vendimi nuk u zbardh se u konstatua se kishte një gabim, vendimi nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës”. 

“Të jemi të sinqertë, aty kemi parë vetëm ceremoni mortore. Dmth vetëm dasma ose ceremoni mortore. Po ka një aktivitet aty, por kjo shtëpi ka humbur të gjithë funksionet dhe nuk ka asnjë lidhje me emërtimin që mban. Qeveria, duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet, ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen’.

Më tej Berisha duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëhere çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut.
Berisha:Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. U hiqet statusi dhe le ta marrin pastaj pensionin me statusin e qytetarit.
Imami: Nuk del njeri.
Berisha: Po ca ishin ata që më erdhën këtu, më thanë ka kënduar aty Vaçe Zela. Paska kënduar, mirë vemi një pllakë, që këtu ka kënduar Vaçe Zela. Kaq dhe e mbyll këtë duke i thënë z Rama se me atë ‘ciu ciu’ e djeshëm ke treguar gjithë moralin e shpëlarë që ke si njëri.

BERISHA-MINISTRAVE: LINI DOSJE, DO ULEN NJERËZ QË NUK DIJNË TË LEXOJNË
Duke ironizuar sot, pasardhësit në qeveri, Berisha i bëri thirrje sot ministrave të tij të lënë në tryezë dosje të punës së kryer për projekte të veçanta.

“Kini parasysh se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë, as dosjet nuk dinë t’i lexojnë dhe thonë nuk gjetëm gjë. Vjen Beqja, në respekt të qytetarit, lini projektet e plota, e kemi detyrim ndaj qytetarëve, por mbani edhe një kopje për vete. Kemi funksionuar në mënyrë që shteti të funksionojë ekonomia të funksionojë, biznesi të funksionojë, nuk janë lojëra, janë projekte në vazhdim dhe uroj të ecin përpara,”- tha Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. 

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera 'SHQUP', Rama: Partia humbëse po ikën duke ngrënë turpin me babëzinë e të marrit! 'SHQUP', Nishani firmos për selinë e re të PD, Vorpsi: Do t’i kthehet serioziteti Letra e Gjunkshit: “SHQUP”, jo seli e PD. Një nga tre asetet kryesore të Ushtrisë Berisha-ministrave: Lini dosje, në karriget tuaja do ulen njerëz që nuk dijnë të lexojnë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›