E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipt, pre e sulmeve kishat, 52 kisha digjen brenda 24 orëve

KAJRO-Gjatë sulmeve të dy ditëve më parë në Egjipt, ku humbën jetën qindra persona, autoritetet e përkohshme në Kajro raportuan se Vëllazëria Myslimane dhe mbështetësit e saj kishin sulmuar ndërtesat qeveritare e madje kishin djegur edhe kishat në vend. CNN vendosi të dërgojë një grup xhirimi për të analizuar pohimet dhe zbuloi se objektet e besimit të krishterë në këtë vend të përfshirë nga trazirat ishin sulmuar dhe djegur me të vërtetë. Mes këtyre ndërtesave ishte edhe kisha e Virgjëreshës Mari e cila prej 67 vitesh ka qenë një strehë për besimtarët e krishterë Kopt që jetojnë në Egjipt.

Peshkopi Angaelos, i Kishës Ortodokse Kopte në Britaninë e Madhe deklaroi se ishte njoftuar nga kolegët e tij në Egjipt se 52 kisha ishin sulmuar brenda 24 orësh ndërsa pre e këtyre sulmeve kishin rënë edhe shtëpite dhe bizneset e të krishterëve. Për këto sulme, autoritetet e përkohshme të Egjiptit kanë fajësuar Vëllazërine Myslimane, Lëvizjen Islamike që mbështet presidentin e rrëzuar nga pushtetit Mohamed Morsi.

Klerikët e krishterë të Egjiptit shprehen se shqetësimi nuk është vetëm për djegien e kishave, por për një përshkallëzim të situatës dhe një luftë ndërfetare që mund të rezultojë shumë e rrezikshme për të gjithë vendin. Koptet në Egjipt përbëjnë komunitetin me të madh të krishterë në Lindjen e Mesme dhe minoritetin me te madh fetar në këtë rajon. Vlerësohet se 10 përqind e popullsisë 85 milion banoreshë të Egjiptit i përket pikërisht kësaj feje të krishterë.

(d.b/ErionKacorri/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›