E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, hiqet kryqi, flamur në Pallatin e Kulturës, Mitropolia: Klerikët u rrahën

PERMET - Përplasje mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit Ortodoks në Përmet. Në bazë të një vendimi të gjykatës zyra e Përmbarimit ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka dorëzuar pranë Bashkisë së Përmetit Pallatin e Kulturës, të zaptuar 16 vite më parë nga Kisha Orthodokse.

Por përmbaruesit kanë hasur në rezistencën e priftërinjve ortodoksë, si dhe besimtarëve që ndodheshin në kishë.

Përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar.

Kryetari i zyrës Përmbarimore, Fatos Alimadhi, deklaroi se përfaqësuesit e kishës kanë përdorur forcën dhe presione për të bllokuar punën.

"Përmbarimi thjesht ka ekzekutuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, veprim që duhet të ishte zbatuar 10 vite më parë",- tha Alimadhi.

Përfaqësuesit e Kishës ortodokse në Përmet pretendojnë pronësinë e truallit, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar pretendimet e saj. Ambientet në Pallatin e Kulturës tashmë do t’i kalojnë Bashkisë së Përmetit.

Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë "mollë sherri" midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por askush nuk i ka dalë zot. 

Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. 

Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës.

MITROPOLIA E SHENJTË E GJIROKASTRËS: KLERIKËT U DHUNUAN BARBARISHT
Mitropolia e Gjirokastrës dënoi përdorimin e dhunës në kishën e Përmetit, ndërsa theksoi e e gjithë kisha është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari.

“Sot në Përmet, Komuniteti Orthodhoks u bë dëshmitar i shkeljes më brutale të çfarëdo nocioni mbi demokracinë, të drejtat e njeriut në veçanti atij të ushtrimit të lirë të besimit siç sanksionohet në Kushtetutë si edhe të kushteve elementare që duhen garantuar për të në kuadrin e shtetit të së drejtës së barabartë.
Që në mëngjes, sot e Premte, 16 Gusht 2013, dhe ndërsa i tërë Komuniteti Orthodhoks vazhdon përjetimin e së Kremtes të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, Pashkës së Verës, grupe paramilitare (me ndihmën e nëpunësve të Bashkisë dhe me mbështetjen e heshtur të autoritetit bashkiak), me pretekstin se trajtonin një çështje gjyqësore, ushtruan dhunë shumëformëshe në dëm të klerikëve dhe besimtarëve të Përmetit.
E gjithë Kisha jonë është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari në Përmet, proteston sepse sot:
- u rrahën në mënyrë barbare klerikët e atij qyteti
- u penguan në mënyrë të dhunshme besimtarët që të hyjnë në kishën e tyre dhe të kryejnë detyrat e tyre të besimit
- u grabitën sende të asaj kishe me pretekstin e përmbarimit të vendimeve gjyqësore të cilat ndërkaq janë parashkruar
- sakrilegje të rënda ngaqë u vu dorë mbi sende të shenjta të kishës (ikona, enë të adhurimit etj)
- forca që spekulojnë me procedura të ndryshme ligjore faktikisht synojnë largimin e dhunshëm të besimtarëve nga vendet e tyre të adhurimit. Me ligjë të posaçëm Shteti ka ratifikuar Marrveshjen midis Këshillit të Ministrave dhe KOASH ku i jipet prioritet pikërisht garantimit të lirisë së të gëzuarit të vendeve të shenjta dhe ceremonive të adhurimit. 

Ngremë zërin e protestës dhe njëherësh shprehim këmbënguljen tonë se nuk kemi për të braktisur përpjekjen me çfarëdo mjeti dhe metode që e drejta e jonë e pronës dhe e përdorimit të lirë të Kishës së Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari të realizohet plotësisht.
Kërkojmë që forcat e errëta të dala jashtë çdo kontrolli të shtetit të së drejtës dhe frymës së tolerancës dhe kohezionit të shoqërisë që kryen aktet e sotme të dhunshme të marrin dënimin e merituar nga Ligji. Nga Klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës”- përfundon deklarata.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›