E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Sa do rriten pagat e pensionet

Kryeministri Sali Berisha ka zbardhur dje para deputetëve demokratë... 

ADI SHKEMBI

...  rritjen e pagave dhe pensioneve që do të bëhet nga 1 korriku, pasi të miratohet në Kuvend buxheti suplementar. Sipas kreut të qeverisë, nga ky buxhet do të përfitojnë rreth 800 mijë familje, teksa ka shtuar se paga minimale në sektorin privat tani do të jetë 17 mijë lekë të reja.
Pensionet
Sipas Kryeministrit Berisha, “Qeveria ka vendosur të ndërmarrë rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, e cila tejkalon qartë barrën e inflacionit në të gjitha shtresat dhe lehtëson jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë”. Më konkretisht, nga 1 korriku, rreth 170 mijë pensionistë me pension minimal në fshat do të përfitojnë një rritje prej 15%. Aktualisht pensioni i fshatit është 6300 lekë të reja dhe pritet të shkojë 7400 lekë të reja. Ndërsa për pensionet e qytetit, ku pensioni minimal është 11 mijë lekë të reja në muaj, rritja do të jetë 10%, duke e bërë këtë pension të barabartë me 100 euro, sipas kursit të sotëm. Gjithashtu në buxhetin suplementar është parashikuar një rritje me 10% për 90 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Pagat
Sipas kreut të qeverisë, arsimtarët do të përfitojnë një rritje me 14%, duke bërë që brenda mandatit të dyfishohet rroga e tyre. “Për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, pra për rreth 44 mijë arsimtarë, këtë vit do të ketë një rritje prej 14 për qind të rrogës së tyre dhe pjesa tjetër e rritjes do të jetë vitin tjetër, duke garantuar kështu dyfishimin, brenda mandatit tonë, të rrogave për të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Pra, ne në vitin 2009, 44 mijë arsimtarëve u realizojmë dyfishimin e rrogave. Mësuesi që merrte 200 mijë lekë rrogë, do të marrë 400 mijë lekë në mbyllje të mandatit tonë të parë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më tej, sipas kreut të qeverisë, rritja e pagave për 12 mijë infermierë do të jetë 14-15% dhe, sipas kësaj skeme edhe për këtë kategori garantohet që brenda mandatit t’u dyfishohen rrogat. Gjithashtu rritje me 7% do të pësojnë rrogat e mesme dhe rreth 4% rrogat e larta. Përveç kësaj, sipas kreut të qeverisë, rroga minimale në sektorin privat nga 1 korriku duhet të jetë 17 mijë lekë të reja. “Ata që u përpoqën të mashtrojnë muaj me radhë qytetarët shqiptarë se nuk do ketë rritje rrogash a pensionesh, tani do fillojnë t’u bien sirenave se gjoja qeveria po ndërhyn në sektorin privat. Por ky vendim është universal dhe është e vetmja mënyrë”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

Ulen çmimet e ushqimeve, por nafta e mban inflacionin 4.2%

Rritja e çmimit të karburanteve ka ndikuar në rritjen e inflacionit gjatë muajit maj. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend, inflacioni në muajin maj ishte 4.2 për qind. Krahasuar me një muaj më parë, niveli i inflacionit ka pësuar ulje. Kjo ulje ka ardhur si pasojë e futjes në treg të prodhimeve të stinës. Për rrjedhojë, çmimet e zarzavateve në treg kanë pësuar ulje. Por, pavarësisht kësaj uljeje, përsëri niveli i inflacionit është mbi nivelin e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria. Ky është muaji i tretë radhazi që niveli i inflacionit është mbi 4 për qind. Sipas INSTAT-it, gjatë muajit maj është ulur çmimi i zarzavateve si dhe i disa produkteve të tjerë, si qumësht, djathë e vezë. Ndërkohë çmimet e disa ushqimeve të tjera kanë pësuar rritje, si “bukë e drithëra” 1.2 për qind, “peshk” 0.1 për qind, “mish” 0.1 për qind etj. Por gjatë këtij muaji rritjen më të lartë e ka pësuar çmimi i karburanteve. Sipas INSTAT-it, indeksi i nëngrupit “Transport” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.1 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 4.3 për qind. Çmimet e transportit interurban gjatë këtij muaji u rritën me 2.3 për qind.

Punëtorët e minierave, sherr në Kuvend mes qeverisë dhe opozitës

Socialistët i kërkojnë qeverisë të zgjidhë patjetër çështjen e minierave në Bulqizë, duke ndërhyrë në parandalimin e vdekjeve të mëtejshme të njerëzve në miniera. Deputeti i PS-së, Minxhozi, ka debatuar ashpër me ministrat Ruli dhe Nishani në lidhje me minatorin e vrarë ditët e fundit. Ai ka kërkuar që shteti të marrë masa të menjëhershme për të shmangur “Gërdecin që po ndodh në minierat e Bulqizës”. “Ajo që më shqetëson mua është për një Gërdec tjetër që po ndodh në Shqipëri, është ai i Bulqizës, ku në çdo tri javë për 12 muaj kanë humbur jetën 15 vetë. Ajo që më shqetëson mua është se gënjeshtrat që ndodhën Gërdec ndjehen në Bulqizë, ja ku është ministri i Brendshëm, policia është inekzistente, ka njerëz të armatosur që kanë zaptuar miniera me licencë, pa licencë, galeritë në tokë dhe mbi tokë. Rendi nuk ekziston, punojnë ende fëmijë. Kanë ikur firmat që kanë qenë me licencë”, deklaroi Minxhozi. Ministri Ruli ka kontestuar qëndrimin e Minxhozit, duke theksuar se, “qeveria është interesuar për këtë çështje”, por është kontestuar ashpër nga ana e deputetëve të opozitës, Ulqini dhe Minxhozi, duke e cilësuar si të turpshëm qëndrimin e mbajtur. “Ata po ikin për një kafshatë bukë, ndërsa ju nuk ndërhyni t’i shpëtoni, të keni turp që flisni kështu”, iu drejtua Ulqini, ministrit. Por Ruli i është drejtuar Ulqinit, që mos ta ofendojë në qëndrimet e tij. “Natyrshëm i është rritur buka atyre në krahasim me vitin e kaluar. Të nderuar replikues, nuk ju shkon ju të reagoni, unë po flisja me deputetin, por ka një moral për çfarë jepni”, deklaroi Ruli. Socialistët Braçe dhe Ulqini i janë kundërpërgjigjur me shprehjet se, “kujt i drejtohesh për moral ti, s’ke turp që flet kështu në seancë. Shkoni zgjidhni hallet dhe i përmendi edhe bukën”.  Ndërsa deputeti i PS-së, Minxhozi ka deklaruar se, “problemet e minierave lidhen me korrupsionin që ka pushtuar pushtetin lokal dhe në paaftësinë e policisë, ata zgjidhen me takimet me bazën e jo me pushtetin vendor”. Por Nishani ka ndërhyrë duke i deklaruar socialistit të mos tregojë përralla e skenarë. “Të jeni i sigurt se unë nuk bëj skenarë dhe përralla, nëse doni hajdeni t’i takojmë bashkë atje”, replikoi Minxhozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›