E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ndahen deputetët në zgjedhjet e 2009

Proporcionali rajonal i propozuar nga socialistët favorizon koalicionin e djathtë. 

Aristir Lumezi

Rezultatet e 3 korrikut 2005 të përllogaritura me sistemin rajonal proporcional, japin 67 deputetë për koalicionin e djathtë, 61 deputetë për bashkimin PS-PSD, 10 deputetë për koalicionin “E majta për integrim” dhe 2 deputetë minoriteve. Në një përpjekje për të parë se si do të  konvertohen në zgjedhjet e vitit 2009 në numra deputetësh përqindjet e marra në maxhoritar nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 2005-ës, treguesit janë interesantë. Ndarja e mandateve të deputetëve është bërë sipas konfigurimit aktual të koalicioneve, ku e djathta rezulton më unike, rreth PD-së. PS-ja edhe pse me kundërshti pritet të dalë bashkë me PSD-në, ndërsa “E majta për integrim” pritet të ketë përveç shoqërisë civile LSI-PDS-PAD. Ajo që bie më shumë në sy është një rishpërndarje e deputetëve në të gjithë vendin, duke prishur kufijtë e mëparshëm veri-jug.
Mandatet
Duke bërë përllogaritjet e përqindjeve të marra nga kandidatët në 2005-ën mbi bazën e “metodës d’Hondt”, rezulton se socialistët si asnjëherë marrin 5 deputetë në Qarkun e Shkodrës, një bastion tërësisht i djathtë. Në 2005-ën socialistët arritën të fitonin në këtë qark vetëm 2 mandate, falë meritave individuale të kandidatëve të saj, Doshi dhe Sterkaj. Numri i votave të maxhoritarit të konvertuara në proporcional rajonal ndryshon përbërjen e deputetëve edhe në Qarkun e Lezhës. Zgjedhjet e 2005-ës, për shkak edhe të kandidaturave të dobëta, nuk dhanë asnjë mandat fitues për PS-në, ndërsa koalicioni i djathtë mori absolutisht 5 deputetë. Metoda d’Hondt tregon se ky përfaqësim balancohet, duke i dhënë 3 deputetë PS-së dhe 4 deputetë koalicionit të PD-së. E njëjta situatë paraqitet në Qarkun e Dibrës, mes PS-së dhe PD-së, duke mbetur në numra të pandryshuar përfaqësimi. Por si gjithmonë rezultati i zgjedhjeve është përcaktuar në qarqet e mëdha, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë dhe Vlorë. Nisur gjithnjë nga metoda d’Hondt e përllogaritjes së mandateve, në këto qarqe, PS-ja i jep deputetë koalicionit të djathtë, me përjashtim të Qarkut të Durrësit, ku tentohet të bëhet një korrigjim i asaj që ndodhi më 3 korrik 2005. Nga 8 me zero për koalicionin e djathtë, zgjedhjet e 2009-ës gjithnjë mbi bazën e numrave të marra në 2005-ën, pritet të japin 5 deputetë për PS-në dhe 8 për PD-në. Në Qarkun e Tiranës ka një balancim të mandateve. PD-ja merr 16 deputetë, PS-ja 13 deputetë, ndërsa LSI-ja merr 4 deputetë. Por sistemi zgjedhor dhe formula e përllogaritjes së mandateve të propozuara nga Partia Socialiste “falin” deputetë edhe në qarqet e tjera. Në Qarkun e Fierit, PS dhe PD marrin numër të barabartë deputetësh, ndërsa 2 deputetë i merr koalicioni i LSI-së. Në këtë qark, PS në 2005 kishte fituar 8 deputetë kundrejt 2 të PD-së, ndërsa LSI 2 deputetë nga proporcionali. Edhe në Berat, PD-ja merr edhe një deputet më shumë nga zgjedhjet e 2005-ës, ndërsa koalicioni i LSI-së merr dy deputetë, po aq sa dhe koalicioni i djathtë. LSI, gjithashtu, nisur nga numri i votave të marra në 2005-ën në Qarkun e Korçës merr një deputet në 2009-ën. Por sistemi proporcional rajonal i jep më shumë deputetë koalicionit të djathtë edhe në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.         
Pragu elektoral  
Sistemi proporcional rajonal është kundërshtuar ashpër nga partitë e vogla për pragun jo të barabartë që vendos. Kështu, nga ky vështrim, pragu elektoral i këtij sistemi lëviz nga 33 për qind në Qarkun e Kukësit, në 20 për qind në Qarkun e Dibrës dhe të Gjirokastrës, e deri në 3.03 për qind në Qarkun e Tiranës, i cili nxjerr 33 deputetë. Nëse do të shohim përqindjet që koalicioni “E majta për integrim” ka marrë në numra në 2005-ën, ai nuk bie nën 6 për qind, duke treguar se tendenca e propozimit të këtij sistemi dhe lënies së pragut natyral të tij, ka pasur si synim konsolidimin e sistemit dypartiak në Shqipëri. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte 49.2 për qind, ndërsa në zgjedhjet për pushtetin vendor jo më shumë se 33 për qind. Kjo tregon se trendi i daljes së njerëzve në votime sa vjen dhe bie, duke favorizuar kështu në të ardhmen koalicionin që është në pushtet. Prandaj dhe e gjithë përpjekja e partive dhe koalicioneve duket se do të jetë dalja në zgjedhje e një numri sa më të madh shqiptarësh.  

Pragu elektoral 2009   

Qarku Shkodër            9.1%
Qarku Lezhë                14%
Qarku Kukës                33%
Qarku Dibër                20%
Qarku Durrës                7.7%
Qarku Elbasan            7.14%
Qarku Tiranë                3.1%
Qarku Fier                6.2%
Qarku Berat                12.5%
Qarku Korçë                8.3%
Qarku Gjirokastër            20%
Qarku Vlorë                7.7%

parashikimi i rezultatit te zgjedhjeve te 2009 krahasuar me perqindjet e 2005

Qarku Shkodër        PS-PSD    E djathta      LSI-PDS-PAD    Deputetët 2005        Deputetët 2009
218300 zgjedhës        37.70%    54.80%    5.75%        PS 2 deputetë        PS 5 deputetë
                        PD 7 deputetë        PD 6 deputetë
Qarku Lezhë                   
135900 zgjedhës        36.60%    50.80%    10.12%        PS 0 deputetë        PS 3 deputetë
                        PD 5 deputetë        PD 4 deputetë
Qarku i Kukësit                   
66402 zgjedhës        31.38%    57.70%    9.44%        PS 0 deputetë        PS 1 deputet
                        PD 3 deputetë        PD 2 deputetë
Qarku i Dibrës                   
116432 zgjedhës        43.33%    49.30%    6.12%        PS 2 deputetë        PS 2 deputetë
                        PD 3 deputetë        PD 3 deputetë
Qarku Durrës                   
265190 zgjedhës        36.13%    56.50%    6%        PS 0 deputet            PS 5 deputetë
                        PD 8 deputetë        PD 8 deputetë
Qarku Elbasan                   
282528 zgjedhës        47.70%    42.20%    7.82%        PS 9 deputetë        PS 7 deputetë
                        PD 2 deputetë        PD 6 deputetë
                                        LSI 1 deputet
Qarku Tiranë                   
650505 zgjedhës        38.91%    49.20%    9.22%        PS 5 deputetë        PS 13 deputetë
                        PD 15 deputetë        PD 16 deputetë
                                        LSI 4 deputetë
Qarku Fier                   
327918 zgjedhës        42.37%    37.90%    14.45%        PS 8 deputetë        PS 7 deputetë
                        PD 2 deputetë        PD 7 deputetë
                                        LSI 2 deputetë
Qarku Berat                   
158971 zgjedhës        42.07%    28.80%    26.89%        PS 4 deputetë        PS 4 deputetë
                        PD 1 deputet            PD 2 deputetë
                        LSI 1 deputet        LSI 2 deputetë
Qarku Korçë                   
246700 zgjedhës        41.95%    46.60%    8.35%        PS 4 deputetë        PS 5 deputetë
                        PD 5 deputetë        PD 6 deputetë
                                        LSI 1 deputet
Qarku Gjirokastër                   
122248 zgjedhës        48.14%    33.60%    8.29%        PS 3 deputetë        PS 3 deputetë
                        PD 1 deputet            PD 2 deputetë
                   
Qarku Vlorë                   
257258 zgjedhës        43.07%    39.72%    5.95%        PS 5 deputetë        PS 6 deputetë
                        PD 2 deputetë        PD 5 deputetë
                        PBDNJ 1 deputet        PDNJ 2 deputetë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›