Ryker zgjat mandatin e krerëve të komunave serbe për t’iu kundërvënë Beogradit
Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Joakim Ryker, ka vendosur të vazhdojë mandatin e kryetarëve të komunave të banuara me shumicë serbe, të cilëve më 18 qershor u skadonte mandati gjashtëmujor. Lajmi u komunikua nga gazeta kosovare “Zëri” dhe këtë vendim, Ryker e bëri të ditur në një takim me kryediplomatët e Grupit të Kontaktit në Prishtinë, mbledhje në të cilën ai shpjegoi dhe arsyet e marrjes së këtij vendimi. Gjithnjë duke iu referuar kësaj gazete vendimi është përcjellë me tension. Në këtë mënyrë, përmes vazhdimit të mandatit të autoriteteve lokale që kanë qenë në pushtet deri tani Ryker dhe UNMIK do të mundohen t’i kundërvihen Beogradit. Por kjo mundësi ka pak shpresa sepse sipas “Zërit“ supozohet që asnjëri prej politikanëve serbë që deri më 11 maj ka qenë në krye të këtyre komunave, nuk guxon dhe nuk mundet të mbetet në pushtet.
Presidenti Bush nis vizitën njëjavore në Europë
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka filluar dje vizitën një javore në Europë, qëllimi i të cilës është forcimi i partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane.
Ndalesa e parë ishte Sllovenia duke vazhduar më tej në Britaninë e Madhe, në Francë, Itali, Gjermani dhe Vatikan. Gjatë vizitës së tij në Europë, presidenti amerikan pritet t’u bëjë thirrje vendeve europiane të japin ndihmë për Afganistanin dhe që t’i bëjmë më shumë presion Iranit, vend të cilin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e akuzojnë se po punon për të prodhuar një armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore. Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane pritet të mbulojnë edhe Kosovën por edhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme si dhe problemet e ngrohjes globale.
STOKHOLM
Rriten shpenzimet për armatim në botë
Shpenzimet për armatimin në gjithë botën janë rritur në një front edhe më të gjerë. Instituti për hulumtime paqësore në Stokholm, SIPRI, bën të ditur se në vitin e kaluar buxheti është rritur në 6 për qind, që do të thotë gati 860 miliard euro. Shpenzimet më të mëdha janë shënuar në Europën lindore, duke përfshirë edhe Rusinë. Gati gjysmën e të gjitha shpenzimeve në botë, rreth 45 për qind të saj e zënë SHBA-të ndërsa Gjermania zë vendin e gjashtë në botë me 10 për qind dhe Rusia me 25 për qind.
SHBA
Ukraina dhe Gjeorgjia nuk janë të gatshme për në NATO
Ukraina dhe Gjeorgjia nuk janë të gatshme të bëhen anëtare të NATO-s, konsideron ambasadorja amerikane në Aleancën, Viktoria Nuland. “Nuk ka asnjë anëtare e NATO-s, e cila sot do të thoshte se Ukraina dhe Gjeorgjia janë të gatshme për NATO”,-theksoi Nuland, duke sqaruar se SHBA-të do ta mbështesin anëtarësimin e të dyja shteteve në Aleancën. “Sa do të vazhdojë pjesëmarrja e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Planin për veprim për anëtarësim, do të varet prej tyre”,-shtoi ambasadorja amerikane Nuland.
AFGANISTAN
Vriten tre ushtarë britanikë
Zyrtarët ushtarakë britanikë kanë bërë të ditur se tre ushtarë janë vrarë në një shpërthim në Afganistan duke e çuar kështu në 100 numrin e forcave britanike të vrara që nga viti 2001.
Ushtarët, nga batalioni i II parashutistëve ishin duke patrulluar në këmbë afër bazës së tyre në Provincën Helmand. Duke ju bërë homazh ushtarëve, sekretari britanik i mbrojtjes, Des Broun dhe shefi i forcave të armatosura Sër Jok Stirrup tha se përpjekjet në Afganistan kanë filluar të arrijnë ndryshime të vërteta.
ALGJERI
Nga sulmet vetëvrasëse, 13 të vdekur
Si pasojë e dy sulmeve të njëpasnjëshme me bomba, të cilat kishin synim një firmë franceze ndërtimi në Algjeri, janë vrarë 13 persona. Sulmet kanë ndodhur në Lakhadaria, 100 km në lindje të kryeqytetit Algjer. Mes viktimave janë edhe një inxhinier francez, shoferi i tij. Autorë të panjohur kanë vënë lëndë eksplozive në makinën e inxhinierit në firmën e ndërtimit. Bomba e dytë shpërtheu në kohën kur viktimat nga bomba e parë po kërkonin ndihmë. Rajoni ku ndodhi ngjarja kufizohet me Kabylein.
10 Qershor 2008