E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Scajola: Italia, partnere për energjinë e rinovueshme

Verona, 11 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha,
i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me
ministrin italian të Ekonomisë, Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së
Veronës, në prani edhe të ministrit shqiptar të Ekonomisë, Dritan Prifti. Burimet
zyrtare bëjnë me dijeni se në këtë takim u diskutua gjerësisht për
bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë.Nga ana e tij, ministri italian Scajola
ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e
Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre
projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së
interkonjeksionit nënujor Shqipëri Itali, tha ai.

Por sipas tij, qeveria italiane gjithashtu
mbështet edhe projektet e ardhshme, private e publike, në fusha të ndryshme me
interes të përbashkët.

Ai theksoi se politikat dhe strategjitë e të
dy qeverive në fushën e energjisë konvergojnë dhe Italia do të vazhdojë të
kryesojë iniciativa rajonale në këtë drejtim.

Ndër të tjera, Scajola i vuri në dukje kryeministrit
se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë
shqiptare, në kushtet e krizës globale.

Kurse kryeministri Berisha, pasi falënderoi
qeverinë italiane për mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha iniciativave dhe
reformave të ndërmarra në vend, ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në
koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë
së rinovueshme.

Ai i shprehu edhe njëherë ministrit Scajola
ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një
nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e
saj, gjë që ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe me standarde të larta
ambjentaliste të ekonomive të rajonit, përfshi Italinë dhe që garanton
furnizimin e pandërprerë të ekonomive dhe popullsisë me energji, pavarësisht
konjukturave ndërkombëtare të tregut, si dhe ofron energji me kosto të ulët për
popullsinë dhe ekonominë.

Kryeministri theksoi se mbështetja e
projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë
financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për
këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre.

Më tej, Kryeministri theksoi që zhvillimi i
vrullshëm i sektorit energjetik në Shqipëri e bën të domosdoshme linjën e
interkonjeksionit nënujor Shqipëri Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes
së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë. Përfitimet janë të
gjithanshme, prandaj sinergjia e të dy qeverive në këtë drejtim është garanci e
suksesit edhe në projektet e tjera.

Kryeministri shprehu nevojën e bashkëpunimit
me  qeverinë italiane, në mbështetje dhe të projekteve të tjera italiane
në fushat e fasonit, parqeve industriale, e sektorë të tjerë.

n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›