E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’do e ndalim vrapin për ndryshimin e fshatit

13-04-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike zhvilloi dje në Pallatin e Kongreseve, Konventën “Për më shumë mbështetje ndaj fermerëve”. Në qendër të ligjëratave, alternativa për vazhdimin e ndryshimit të Shqipërisë rurale


Berisha: Mandati i ri do jetë i rrugëve të pashtruara, i energjisë dhe i ujësjellësve”


Genc Ruli: “Rama synon t’i marrë frymën biznesit me rritjen e taksave”


Topalli: “PD ka ende shumë për të bërë, kjo do të realizohet gjatë katër viteve të mandatit të ri”


Partia Demokratike zhvilloi dje në Pallatin e Kongreseve, Konventën “Për më shumë mbështetje ndaj fermerëve”, ku u prezantua programi i kësaj partie dhe Shqipërinë rurale dhe bujqësinë. Në këtë konventë folën figurat më të larta të Partisë Demokratike, por edhe fermerë dhe personalitete të rëndësishme. Kjo konventë është e dyta, pas asaj për punësimin, me në fokus mbështetjen ndaj fermerëve shqiptarë. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha shprehu nderimin e tij më të thellë për çdo fermer shqiptar, për punën e tyre të palodhur, nga e cila siç tha ai ne përfitojmë në çdo vakt. “Unë nga kjo tribunë, dua të përulem me nderimin më të madh para secilit fermer shqiptare, para të gjithë fermereve të Shqipërisë të shpreh respektin, të shpreh dashurinë, të shpreh mirënjohjen e pakufishme timen, ndaj tyre. Ju këtu dëgjuat oratorë të shumtë të flasin për punërat, që janë bërë gjatë këtyre viteve për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe ato janë të rëndësishme. Por ju. duhet ta dini se shume here më e madhe është dashuria e fermerit shqiptare për familjen e tij, për kopshtin e tij, për arën e tij, për lopët e tij, për derrat e tij, për dhitë e tij, për delet e tij, për ullinjtë e tij, për pulat e tij, për gjithçka që ai prodhon për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Ndaj dhe duhet ti garantoj ata, se ne jemi krenarë me ta, se ne vlerësojmë, se ne frymëzohemi nga dashuria e tij e pakufishme. Se anë ata të cilët me këtë dashur krijojnë të mirat e mëdha materiale, që i gëzojnë ne në çdo vakt, në çdo feste, në çdo darkë, në çdo rast. Por miqtë e mi, fermeri, fermerja janë qytetarë që jetojnë vështirësi të mëdha. Me vështirësitë e tyre të përballojnë, të ngjallin respektin më të thellë. Në një kohë kur ne të gjithë vazhdojmë gjumin e mëngjesit, ata zgjohen pa u gdhirë, shkojnë tek lopët e tyre, e mjelin atë, pastrojnë grazhdin, ua rregullojnë vendin. Puna për ta nuk mbaron kurrë. Nga lopa kalon tek kopshti, duhet ta vadisë atë para se ti bien rrezet e para të diellit, më pas vazhdon në arë. Në qoftë se ne i mbyllin zyrat tona dhe kthehemi në shtëpi, ata nga puna në punë deri në rrezet e fundit të hënës. Për ata ka vetëm rend pune, por nuk ka të sosur kurrë prej tyre. Ne u detyrohemi atyre shumë. Ne kemi bërë, por ju detyrohemi shumë më tepër. Një burrë i mençur në një fjalim të tijin thotë se: Zoti ditën e tete hodhi sytë poshtë drejt parajsës që kishte krijuar, u kujtua menjëherë, me duhet kujdestari i saj dhe kujdestari i saj është fermeri, është ai që ruan tokën, që ruan ajrin, që ruan ujërat, që ruan mjedisin. Është ai që qëndis tokën, qëndis kodrat, qëndis fushat. Ai është kujdestari i Zotit për tokën kudo që ndodhet”, tha Berisha. Berisha nënvizoi më tej se, “Po, ne kemi bërë, por kemi shumë për të bërë dhe do të bëjmë gjithçka për t’ua shpërblyer atyre atë që meritojnë. Për t’ua shpërblyer atyre, atë që ata burra dhe gra fisnik bëjnë për shoqërinë tonë. Mos harroni, se në fytyrat e tyre shumë kohë më parë se në fytyrat tona, shfaqen rrudhat e mundimit, shfaqet kërrusja, që i bën ata për shkak të punës në tokë. Por rrudhat e tyre janë vula e Zotit mbi punën e tyre të bekuar. Është bekimi i Zotit, për punën e mrekullueshme që ata bëjnë. Këto kohë kemi hartuar programin e katër viteve që vijnë, kemi mbledhur ekspertët më të mirë, akademikë të shkëlqyer, specialistët më të shquar. Por, krahas Universitetit të Bujqësisë kemi marrë mendimin çdo ditë të universitetit tjetër, të universitetit të fermerëve tanë, të cilët me mençurinë e tyre, me praktikën e tyre na kanë dhënë mendimet më të çmuara për mandatin e ardhshëm”. Kryeministri e cilësoi fermerin kujdestarin e zotit që qëndis tokën, kodrat e fushat, ndërsa premtoi se qeveria e tij do bëjë çdo gjë që fshati t’i ngjajë sa më shumë qytetit. Për Kryeministrin Sali Berisha, mandati i ri do jetë i rrugëve të pashtruara, energjisë e ujësjellësve. “Këtu u renditen të gjitha investimet. Të gjitha ato janë të vërteta, por zotimi ynë më solemn është se do të bëjmë gjithçka, që çdo fshat i këtij vendi të ketë infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona dhe ata e meritojnë plotësisht. Pak vite me parë, ata përjetonin errësirat e zgjatura. Ne i ndaluam ato, garantuam furnizimin me energji, por çfarë konstatojmë tani. Ata janë zhvilluar aq shumë, sa drita që ju çojmë ne është një dritë e zbehtë. Bizneset e tyre, stallat, fabrikat, frigoriferët, sipërmarrjet e tyre, duan furnizim energjie me cilësi më të madhe. Ndaj dhe jam këtu sot para jush, për tu zotuar para të gjithë fermerëve shqiptarë kudo që janë, në ultësirën e bregdetit, në lartësinë e maleve dhe të alpeve, se në katër vitet që vijnë, çdo fshat shqiptarë do të llamburisë nga dritat, njëlloj si lagjet e qyteteve tona. Ne, kemi ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë, por unë dua ti garantoj fermerët e tjerë, se as rrugët e reja të asfaltuara, as tapetet e kuqe nëpër të cilat kaloj, nuk do të më pengojnë kurrë për të parë gropat e rrugëve te tyre, për të bërë gjithçka për të asfaltuar dhe kilometrin e fundit në rrugët e fshatrave dhe komunave të tyre. Mandati i ri i ardhshëm, është mandati i përfundimit të plotë të infrastrukturës më moderne. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra e qindra shkolla, por vrapi unë nuk do të ndalet kurrë, derisa fëmijët e tyre kudo që janë, të ulen në shkolla të njëjta me të qyteteve të Shqipërisë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra ujësjellësa, kanalizime, por vrapi ynë nuk do të ndalet kurrë derisa tu garantojmë ujë të rrjedhshëm të gjitha fshatrave të Shqipërisë. Mos të mendojë kush se sukseset do të na pengojnë ne të shohim vështirësitë. Jo dhe jo”, shtoi Kryeministri Sali Berisha më tej. “Është e vërtet se Shqipëria Rurale ka ndryshuar, është e vërtet se në qoftë se Shqipëria është rritur me 11 herë, Shqipëria Rurale falë atyre grave dhe burrave dhe tretin çdo ditë muskujt, mendjen, shpirtin, zemrën, dashurinë e tyre, është rritur 20 herë. Por ne qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka katër vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin në tokën shqiptare, fermerëve shqiptarë. Nuk ka vend më të bekuar sa në këtë vend. Zoti e i ka dhënë tokës sonë, të gjitha vetitë, të gjitha pasuritë, për të qenë toka më pjellore, toka e prodhimeve të shkëlqyera bujqësore dhe blegtorale”, tha ai. Kryeministri Sali Berisha theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të vijuar mbështetjen për fermerët përmes trefishimit të granteve. “Ju garantoj ju, se do të jete eksperienca, kultura e mrekullueshme e fermerëve shqiptarë, që do të frymëzojë programin e qeverisë në katër vitet që vijnë. Po. Ne vendosëm në një akt madho të heqim çdo taksë, çdo tarifë, mbi çdo import, mbi çco gjë, që fermerët shqiptarë e përdorin për rritjen e prodhimi dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Fermerët e pritën shkëlqyeshëm këtë. Zotimi unë është solemn, këto do të trefishohen. Zotimi ynë është solemn se do të financojmë dhe do të nxisim prodhimin në çdo fushë, në çdo fshat, në çdo rreth, mbarë Shqipërinë. E nisëm me besimin më të madh, se Shqipëria nuk mund të jetë kurrë vend i zhvilluar pa Shqipërinë Rurale të zhvilluar, se Shqipëria nuk do të jetë kurrë vend i zhvilluar, pa një bujqësi moderne të zhvilluar. Kur ne shpallëm projektin tonë, jo të paktë ishin ata që na thanë se po i hyni “detit me këmbë “, detin po e kalojmë falë supeve të fermerëve shqiptarë, punës, mundit të tyre dhe ne do të bëjmë realitet programin tonë. Këto që kemi arritur për çdo shqiptarë, kudo që jeton janë një ndryshim i madh dhe ne me krenari vijnë sot këtu, deklarojmë se ne jemi ndryshimi. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të vendosur, se katër vitet që vijnë do të bëjmë shumë më tepër për fermerët shqiptarë, për Shqipërinë Rurale. Përpara, përpara, përpara”, përfundoi Kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›