E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S`do lejojmë cënimin e institucioneve

Qeveria shqiptare është e vendosur të mos lejojë në asnjë rast cënimin e institucioneve demokratike dhe rendit kushtetues përmes forcës, dhe se ajo mbetet totalisht e përkushtuar ndaj projektit madhor kombëtar, integrimit në Bashkimin Evropian.
Kështu është shprehur kryeministri Berisha në një takim me ministrin e jashtëm të Sllovenisë Samuel Zbogar i cili ka ardhur në Shqipëri për t`u njohur me situatën politike pas ngjarjeve të 21 janarit.
 

Në fjalën e tij gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se në këtë situatë të vështirë vetëm drejtësia e paanshme dhe e pavarur është dhe mbetet thelbësore për përfundimin dhe daljen nga kriza e shkaktuar nga grushti i shtetit i mbetur në tentativë, i organizuar nga kryetari i opozitës.
 

Pasi u njoh në mënyrë të hollësishme me situatën, ministri Zbogar e rigarantoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të qeverisë sllovene dhe të vendit të tij, një vend mik i Shqipërisë. Më tej, zoti Samuel Zbogar i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Borut Pahor dhe me urimet që kjo situatë e vështirë të tejkalohet sa më parë, në mënyrë që Shqipëria të rikthehet në rrugën e integrimit evropian.
 

Gjithashtu, Kryeministri i përsëriti zotit Zbogar ftesën e bërë zyrtarisht OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 Majit duke kërkuar dërgimin e sa më shumë vëzhguesve ndërkombëtarë për të dëshmuar angazhimin e plotë të autoriteteve shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›