E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Sejdiu: Nuk do të resht së lobuari për Kosovën



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk do të reshtë përpjekjet për të lobuar ndërkombëtarisht për pavarësinë e Kosovës. Bashkë me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, ky proces do të njohë një intensitet edhe më të madh në të ardhmen për njohjen e Kosovës shtet. Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi dje në Prishtinë me z. Sejdiu, i siguroi atij një mbështetje të fuqishme për proceset integruese të Kosovës. Gjatë vizitës së tij në Kosovë z. Berisha u prit dje nga Presidenti Fatmir Sejdiu nga ku folën për integrimin e përbashkët evropian të dy kombeve shqiptare, por duke u ndalur edhe tek zgjedhjet e afërta lokale të Kosovës, ato të 15 nëntorit. Z. Berisha e quajti fat praninë e EULEX-it në Kosovë, ndërsa shtoi se diplomacia shqiptare do t’u bëjë thirrje të vazhdueshme shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për t’u radhitur në listën e gjatë që dhanë OK-in. Z. Berisha vuri në dukje se Shqipëria ka angazhuar dhe angazhon misione të vazhdueshme për pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, Shqipëria këtë e ka një detyrim madhor ndaj një vendi i cili është vëlla. “Shumë vende i quajnë marrëdhënie vëllazërore, por ne i kemi të vërteta vëllazërore. Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje. Ka dërguar dhe do të dërgojë emisarë në të gjitha kancelaritë për të qartësuar se njohja e Kosovës është një shans për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Asnjë vend nuk e ka njohur Kosovën për arsye tjetër përveç faktit se pavarësia është faktor madhor për paqe dhe stabilitet në rajon. Mund t’ju them se tematika e diplomacisë shqiptare, përveç problemit të integrimit, e tëra do të jetë ekonomike. Do ta transformojmë në diplomaci ekonomike, sepse kështu i shërbejmë më mire interesit tonë”, - deklaroi z. Berisha. Kurse, Presidenti kosovar bëri të qartë se “është e veçantë që pikërisht në këtë kohë të zhvillimeve kaq të bujshme, Kryeministri Sali Berisha dhe shteti shqiptar e siguron Kosovën për një mbështetje të fuqishme edhe për procese të rëndësishme”. “Për ne, - shtoi ai, - është historik momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, edhe veprimet e shpejta racionale të ecjes së Shqipërisë drejt BE-së”, - u shpreh Presidenti Sejdiu gjatë konferencës për shtyp. Për sa i përket momentit të zgjedhjeve lokale, Berisha i bëri thirrje komunitetit serb në Kosovë që të marrë pjesë në këtë proces, pasi kjo i shërben më së miri të ardhmes së tyre. “Qëndrimet ndaj zgjedhjeve janë komplekse. Diktohen nga shumë faktorë, por interesi më i mirë i serbëve në Kosovë është të marrin pjesë në zgjedhje; të zgjedhin përfaqësuesit e tyre; të përfitojnë një shans në vendosjen e standardeve të shkëlqyera, të përfaqësimit dhe të drejtave të minoriteteve. Uroj dhe shpresoj që problemet e serbeve të Kosovës të mos bëhen probleme ndërpartiake, politike në Beograd. Ky nuk është interesi as i Serbisë. Rrjedha kërkon që ata të marrin pjesë. Jam i bindur që ky proces do të ecë drejt normalizimit”, - u shpreh z. Berisha. Nga ana e tij, kreu i shtetit kosovar siguroi se për herë të parë Kosova do të menaxhojë zgjedhjet në nivel lokal. Por, ai denoncoi faktin: "Është irracional qëndrimi i Beogradit, i cili bën thirrje për të penguar serbët të japin votën e tyre". Presidenti Sejdiu vlerësoi se Kosova ka ofruar shanse të barabarta për të gjitha komunitetet, ndërsa u kërkoi edhe një herë qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje. Sipas tij, në studimet dhe sondazhet e kryera shihet një gatishmëri e lartë e qytetarëve serbë, të cilët kërkojnë kthimin në realitetin normal të jetës dhe të punëve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›