Dade apel Berishës: Plotëso kushtet, të hyjmë në Kuvend

Partia Socialiste io ka bërë apel kryeministrit Sali Berisha të plotësojë kushtet e vëna nga opozita për hyrjen në Kuvend, ose në të kundërt do ketë përshkallëzim të luftës politike në mbrojtje të votës së lirë.
Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade tha se Berisha duhet t'i japë fund thirrjeve për bashkëpunim në reformat me PS-në dhe të plotësojë kushtet e vendosura nga selia rozë.
"Në vend që Sali Berisha të vazhdojë të bëjë thirrje të pasinqerta për bashkëpunim për reformën elektorale me Partinë Socialiste duhet të përmbushë kushtet që opozita ka vendosur për pjesëmarrjen e saj në Parlament", u shpreh ajo. Ajo theksoi se "Në mbrojtje të demokracisë Partia Socialiste do të përshkallëzojë luftën e saj politike duke nisur me mitingun e datës 10 tetor, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët që gjykojnë se është cënuar themeli i demokracisë - zgjedhjet e lira dhe të ndershme".
Sipas Dades, PS është e japur për bashkëpunim me ndërkombëtarët për liberalizminin e vizave, proces që është vonuar nga qeveria Berisha.
"Partia Socialiste do të jetë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë të veçantë me Bashkimin Europian që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, proces ky i vonuar nga mungesa, jo vetëm e vullnetit politik të Sali Berishës, por edhe angazhimit të qeverisë së tij për përmbushjen e kushteve", pohoi ajo.