Legalizimet, banesat e thjeshta nuk paguajnë me bono
Ndryshon mënyra e pagesës së ndërtimit pa leje me bonot e privatizimit. Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimet në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale, duke përcaktuar mënyrën se si do të paguhet me letra me vlerë ose bono privatizimi. Sipas ndryshimeve ligjore, me letra me vlerë do të mund të paguajnë ndërtimet vetëm ata që kanë ndërtime të mëdha pa leje të cilat ligji i detyron të paguajnë me vlerë tregu ndërtimet e tyre. Kështu, çdokush që ka një ndërtim pa leje më të madh se ç’e parashikon ligji, ai duhet ta paguajë ndërtimin e tij me vlerë tregu për ta legalizuar. Lehtësia për këta persona qëndron se do të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga projekti janë larguar banesat e thjeshta, të cilat do të duhet të paguajnë me para në dorë për të gjithë ndërtimin. Ato do të paguajnë në bazë të kushteve që kërkon ligji, duke përfshirë taksën e infrastrukturës që është sa 0.5 për qind e vlerës së ndërtimit si dhe tarifën e legalizimit që përcaktohet nga ligji bazë.
Pagesa me letra me vlerë
Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit.
Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi.
Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit.
Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Kjo do të thotë që çdokush që ka bono, mund t’i kalojë ato në këtë proces, duke i kthyer vlerën atyre në masën 100 për qind.
Çmimi i shitjes në zonat informate
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës
për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë; Para në dorë
b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë; Para në dorë
c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë; Para në dorë
ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë; Para në dorë
d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë; Para në dorë
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me Bono privatizimi
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha
Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të
verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:
Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës
a) për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë; Para në dorë
b) për sipërfaqe deri në 200 m² 300 mijë lekë; Para në dorë
c) për sipërfaqe deri në 300 m² 400 mijë lekë; Para në dorë
ç) për sipërfaqe mbi 300 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me Bono privatizimi
Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:
Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës
a) për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë; Para në dorë
b) për sipërfaqe deri në 75 m² 200 mijë lekë; Para në dorë
c) për sipërfaqe deri në 100 m² 400 mijë lekë; Para në dorë
ç) për sipërfaqe mbi 100 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me Bono privatizimi
Pagesa në "territore të tjera"
Për parcelat ndërtimore në "territore të tjera" zbatohen të njëjtat tarifa dhe mënyra pagesash (bono privatizimi deri në 50% të vlerës), sipas nenit 19 të këtij ligji, por shteti nuk angazhohet të investojë për infrastrukturën në këto territore. Këshilli i njësisë vendore, përpara se të vendosë kalimin e pronësisë në favor të subjektit, kërkon miratim të posaçëm nga:
a) këshilli i qarkut dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit për toka të kategorisë bonitete (1-4);
b) këshilli i qarkut për toka të kategorisë (5-10).