E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pret me madhështi Berishën: Erdha me kënaqësi, jemi vëllezër



Në fëmijëri, telat me gjemba dhe kloni përgjatë gjithë kufirit e pengonin të shihte pjesën tjetër shqiptare. Shtëpinë e Sali Berishës në Viçidol e ndajnë vetëm pak metra dhe minuta nga Gjakova e rrethuar nga bjeshkët e bukura dhe e mbuluar nga çatitë me tjegullat e kuqe. Burrat e shtëpisë, të njohur në gjithë trevën e Malësisë së Gjakovës për ndjenja patriotike, i ushqyen atij dashurinë për Kosovën, që padrejtësisht i kishin vënë një kufi në mes, duke e ndarë nga trupi i nënës. Kaluan vite dhe Kosova u rrit mes vuajtjesh dhe dhimbjesh. Dhe atij djalit të vogël nga Viçidoli, që etërit i kishin mësuar që herët dashurinë për pjesën tjetër të kombit, duke ia injektuar atë gjer në deje, u kthye në përkrahësin më të flaktë të çështjes së Kosovës. Ndaj, për kosovarët, Sali Berisha është dhe mbetet lideri i kombit. Në anën tjetër të kufirit, kosovarët dje i uruan mirëseardhjen në Kosovën e lirë dhe sovrane, dikur e shkrumbuar nga flakët, sot reflekton shkëlqimin e lirisë. Një pritje madhështore që i ka hije një figure shteti si Sali Berisha. Kosova u gdhi nga billbordet dhe fotografitë e Kryeministrit të Shqipërisë. Kosovarët zunë radhët pas kangjellave që rrethojnë godinën e qeverisë, për të parë liderin shqiptar, Sali Berisha, tek nderohej nga Garda e Republikës. Momenti kur mbërriti në aeroportin e Prishtinës dhe përlotja e syve. “Erdha në Kosovë me kënaqësinë më të madhe, ku kam dëshirë të qëndroj dy ditë”. Janë këto fjalët e para emocionuese menjëherë pas mbërritjes të Kryeministrit të Shqipërisë. Në aeroport e pritën zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramë Manaj dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së Kosovës. Pas pritjes ceremoniale para godinës së qeverisë së Kosovës nga Garda e Nderit dhe ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe Himnit të Kosovës, kryeministrat Berisha dhe Thaçi zhvilluan bisedimet zyrtare në qeverinë e Kosovës. Këtë herë, Sali Berisha ndodhet në Kosovë si Kryeministër i një vendi me imazh të ri, i Shqipërisë evropiane, e cila është anëtare e NATO-së; e Shqipërisë e cila është shtet aplikant për t’u anëtarësuar në BE dhe Shqipërisë shtet si faktor kyç i stabilitetit në rajon. Fakte këto shumë domethënëse për të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, nuk kishte si të mos i vinte dje në dukje fakte të tilla, teksa e cilësoi homologun shqiptar si arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri dhe realizuesin e ëndrrës së shqiptarëve, me ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Madje, duke pohuar se edhe Kosova i ka ditët e numëruara nga fillimi i autostradës Morinë-Prizren-Prishtinë. Gjatë një konference të përbashkët për media, kryeministrat Thaçi dhe Berisha vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe premtuan se në të ardhmen do të rrisin përkushtimin e tyre për vlera dhe standarde evropiane. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria e Kosova janë dy shtete të ndryshme, por një komb i pandarë, andaj edhe pritet vetëm thellim i bashkëpunimit. "Shqipëria e Kosova janë dy shtete të ndryshme, por një komb i pandarë, andaj pritet vetëm thellim i bashkëpunimit. Ju them se do të ketë edhe marrëveshje të reja në kompletimin e infrastrukturës ligjore e vëllazërore mes Tiranës e Prishtinës dhe këto do të jenë shembull për rajonin", - theksoi z. Berisha. Duke vlerësuar periudhën pas shpalljes së pavarësisë, Berisha vuri në dukje se në 20 muaj të funksionimit si shtet, Kosova ka shënuar arritje të mëdha, kombëtare dhe ndërkombëtare. "Ajo që më impresionon më së shumti, është se luftëtarët e lirisë po i ndërtojnë me përkushtim të madh vlerat për të cilat ata luftuan. Kosova ka një ekonomi të vogël, por dinamike, e cila i rezistoi furtunës së përgjithshme financiare. Ideali kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian, sepse ne aty kemi përcaktuar të ardhmen tonë më të shkëlqyer dhe nuk dimë ndonjë të ardhme më të ndritur për ne sesa integrimi në Evropë”, - deklaroi z. Berisha. Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme. Berisha pohoi më tej se është në interesin jetik të çdo shqiptari konsolidimi i pavarësisë së Kosovës. Berisha theksoi se këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin. "Nuk janë vende të huaja këto. Janë vende vëllezër. Shumë vende e cilësojnë dhe e vlerësojnë njëri-tjetrin si vëllezër, por në botë dy vende që të kenë më të drejtë për këtë se Shqipëria dhe Kosova, nuk ka", - theksoi z. Berisha. Nga ana e tij, kreu i qeverisë së Kosovës, i mbërthyer nga emocionet, vlerësoi figurën e Kryeministrit Berisha në procesin integrues të shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë në pavarësimin e Kosovës. "Kryeministri Berisha është arkitekt i ndryshimeve në Shqipëri, realizues i ëndrrës së shqiptarëve, i ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë, jetësues i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe kontribuues i madh për pavarësinë e Kosovës", - u shpreh z. Thaçi. Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se askush në rajon nuk duhet t'i frikësohet bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. "Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Vendet në rajon, Kosovën dhe Shqipërinë i kanë dy vende mike, dy vende të partneritetit, të bashkëpunimit, të paqes, të stabilitetit, të angazhimeve integruese edhe rajonale, por edhe euroatlantike", - theksoi z. Thaçi.

Berisha: Rugova, arkitekti i pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e cilësoi dje në sallën e Parlamentit të Kosovës ish-Presidentin kosovar, Ibrahim Rugova, si arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Z. Berisha mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku deklaroi se pavarësia shënoi përfundimin e një prej padrejtësive më të mëdha. Duke nderuar me këtë rast arkitektin e pavarësisë, Presidentin Ibrahim Rugova, Berisha theksoi se jetik për çdo shqiptar është interesi për mosndryshimin e kufijve në Ballkan, ndërsa vlerësoi se Kosova po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm stabiliteti. “Pavarësia e Kosovës shënoi fundin e njërës prej padrejtësive më të mëdha jo vetëm të Ballkanit, por të gjithë Evropës, ndaj dhe pas rënies së Murit të Berlinit, shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e madhe në historinë e lirisë, jo vetëm të kombit shqiptar dhe rajonit, por dhe të mbarë Evropës, pas Luftës së Dytë Botërore”, - tha në Kuvendin e Kosovës Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. “Sot, në bindjen time më të thellë, interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar kudo që jeton, është mosndryshimi dhe respektimi i kufijve aktualë ndërkombëtarë të rajonit dhe konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj dhe të ndërtimit të demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimi i Shqipërisë në BE dhe perspektiva e sigurt dhe integrimi euroatlantik dhe evropian i Republikës së Kosovës, pra është bashkimi ynë në Evropën e bashkuar. Këto konfirmoj se janë dhe interesat më të mëdha dhe jetike kombëtare të shqiptarëve. Prandaj dhe për Shqipërinë, për Kosovën, integrimi evropian dhe euroatlantik janë dhe do të mbeten ylli polar, që ndriçon rrugën e të ardhmes sonë”, - tha më tej Berisha. Kryeministri Berisha vlerësoi reformat në një kohë rekord të ndërmarra nga qeveria, Parlamenti, institucionet dhe forcat politike të Kosovës.

Berisha merr në Kosovë “Medaljen e Artë të Lirisë”

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u nderua dje me “Medaljen e Artë të Lirisë”, të akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me motivacionin “Për kontributin e lartë në mbrojtje të lirisë së Kosovës”. Kjo medalje iu dha Kryeministrit Berisha, nga Presidenti Sejdiu gjatë seancës plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, me rastin e vizitës së Kryeministrit Berisha. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Sejdiu vlerësoi përkrahjen dhe kontributin e rëndësishëm të Kryeministrit Berisha dhënë në vite për Kosovën dhe popullin e saj: “Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra për përkrahjen e parezervë që ju, qeveria dhe i gjithë populli i Shqipërisë i keni dhënë Kosovës në vazhdimësi dhe në çastet më të rënda të historisë sonë”, - u shpreh zoti Sejdiu. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar këtë medalje si nderimin më të madh u shpreh: “Z. President, medalja e artë që më akordoni sot, përbën për mua një akt madhor krenarie për të gjithë kontributin që qytetarët e Kosovës dhe Kosova dha për lirinë e kombit, lirinë e rajonit dhe më gjerë; përbën për mua nderimin më të madh, sepse këtu në Kosovë u zhvilluan të gjitha lëvizjet e mëdha për liri të shqiptarëve, ndaj dhe unë ndihem shumë krenar me medaljen që ju më dhatë”.

Shqipëri-Kosovë, firmosen 6 marrëveshje bashkëpunimi

Në Prishtinë, në prani të dy kryeministrave Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, delegacionet e të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, nënshkruan dje 6 marrëveshje dypalëshe. Kryeministri i Kosovës dhe i Shqipërisë zyrtarizuan thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, duke nënshkruar radhazi gjashtë marrëveshje bashkëpunimi për fusha të ndryshme, ku krerët e ministrive përkatëse nënshkruan në emër të dy qeverive. Nga marrëveshjet pritet të thellohen marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, me ç'rast do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, ku për Shqipërinë firmosi ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mandej bashkëpunimin në fushën e doganave, bashkëpunimin policor ndërkufitar, pushtetin lokal, riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm dhe protokolli për qarkullimin në zonat kufitare. Në këtë rast, Kryeministri Sali Berisha theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjeve synohet të vendosen standardet evropiane për bashkëpunim ndërshtetëror. Marrëveshjet kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, rreth qarkullimit në zonat kufitare, për fushën e doganave, për bashkëpunimin policor ndërkufitar, për ripranimin e personave me qëndrim të paligjshëm dhe një marrëveshje për bashkëpunimin e administratës lokale.

UP i jep Berishës titullin “Doctor Honoris Causa”

Kryeministri Sali Berisha u nderua dje me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës. Për dhënien e këtij titulli, për nder të Kryeministrit Berisha, u organizua edhe një ceremoni ku merrnin pjesë zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ministra të qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, familje të dëshmorëve të luftës, rektori, zv.rektorët, stafi akademik i universitetit dhe përfaqësi të huaja ndërkombëtare në Kosovë. Duke përshëndetur Kryeministrin Berisha, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Mujë Rugova dhe ministri i Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj, lartësuan veprimtarinë e Kryeministrit Berisha në sferën shkencore, politike dhe kombëtare. Në emër të senatit të Universitet të Prishtinës, ishte rektori prof. dr. Rugova, ai që i dorëzoi Kryeministrit Berisha titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në fushën e shkencës dhe arsimit shqiptar, për vendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, për mbështetjen e fuqishme dhe të pandërprerë të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi, për angazhimin për paqen dhe siguri në rajon, për meritën e veçantë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore që lidh trojet shqiptare, për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të shumanshme midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe integrimin e tyre në NATO dhe në BE”.

Marrëdhëniet me Serbinë, Berisha: S’na shërben fobia

Shqipëria shpreson në marrëdhëniet e mira me Serbinë. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Prishtinë se qëllimi i të gjitha vendeve të rajonit është kapja e orës evropiane. Duke folur për marrëdhëniet e mira me Malin e Zi dhe Maqedoninë, Kryeministri shqiptar theksoi se shpreson në marrëdhëniet e mira me Serbinë, pasi fobia nuk i shërben askujt. “Ne nënshkruam një sërë marrëveshjesh, të cilat synojnë vendosjen e stabilitetit në rajon, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, - u shpreh Berisha. Duke theksuar se kombi shqiptar edhe në historinë e tij ka kaluar shumë gjëra, të pamerituara, është i vendosur për një klimë miqësore bashkëpunimi rajonal.

Në 2010-n, hekurudha e re Tiranë-Prishtinë

Jo vetëm një autostradë që lidh dy kombet shqiptare, por edhe një hekurudhë e re Tiranë-Prishtinë, projekti i së cilës do të nisë vitin që vjen. Kryeministri Sali Berisha paraqiti dje në Prishtinë gjatë takimeve me krerët e institucioneve të Kosovës, një situatë të favorshme për bashkëpunimin dhe lëvizjen mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duke theksuar se tashmë porti i Shëngjinit është dalja në det për Kosovën, z. Berisha njoftoi se do të nisin projektet për ndërtimin e linjave hekurudhore. Po ashtu, Berisha premtoi se do të përfundojë dhe rruga Qafë-Morinë - Shkodër, për lidhje të vazhdueshme me pjesën perëndimore të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›