E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Selia e parë e PD ishte shtëpia e Gramoz Pashkos

Përkujtohet 5-vjetori i ndarjes nga jeta të Gramoz Pashkos

Miq, politikanë dhe të afërm përkujtojnë në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, një prej personaliteteve më të spikatur të jetës publike dhe politike të 20 viteve të fundit

Tiranë Në një mbrëmje mes miqsh dhe të afërmish, është përkujtuar 5- vjetori i ndarjes nga jeta, në mënyrë tragjike, i një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Gramoz Pashko. Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit Topalli, por edhe pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike, ishin të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore. Gjithçka nisi me projektimin e një dokumentari për jetën e Gramoz Pashkos, qysh nga fillimet e tij si pedagog në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas me momentet e themelimit të Partisë Demokratike e për të përfunduar me vdekjen tragjike të tij. Nën tingujt e lehtë të violinave, fjalën e mori vajza e Gramos Pashkos, Flonia Pashko, e cila falënderoi të pranishmit për nderimin që i bëhet personit më të dashur për të. Ajo shprehu dhimbjen e madhe për mungesën e babait të saj, të cilën ajo e cilësoi si një shok të mirë. Edhe pse kanë kaluar 5 vite, Flonia Pashko nuk arrin ta fsheh dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait dhe të vëllait pas rrëzimit tragjik të helikopterit në det.

Më pas, fjalën e mori Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili lexoi përpara gjithë të pranishmëve vendimin e marrë nga Dekanati i Universitetit, për t’i vendosur emrin e Gramoz Pashko sallës së leksioneve 201/a në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.

Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, u ndal tek vlerat e Gramoz Pashkos, si themeluesi i PD-së dhe si një ndër ekonomistët me të zotë të Shqipërisë. “Sot ne këtu, që të gjithë ndjehemi krenar që patëm një mik si Gramoz Pashko, një njohës, një personalitet dhe unë ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar, krenar për njohjen dhe miqësinë time. Në vitin ’90, para se të fillonte lëvizja, u përpoqa të takoja ata intelektualë, jo të shumtë ç’ishte e vërteta, që kishin shprehur një mendim disi ndryshe, i vetmi që ishte shpirt i lirë ishte Gramoz Pashko”, – deklaroi Berisha. Më tej, Berisha u shpreh se Pashko është një nga themeluesit kryesor të PD, duke shtuar se selia e parë e Partisë Demokratike, që do themelohej pas 45 vitesh diktaturë, ishte shtëpia e Gramoz Pashkos. Ndër të tjera, Kryeministri shtoi se Pashko ishte hartuesi kryesor i programit ekonomik të opozitë shqiptare në vitet ‘90, duke thënë se ai është themelues i ekonomisë së tregut në Shqipëri. Krahas kësaj, kreu i qeverisë tha se Gramoz Pashko ishte edhe ideatori dhe një ndër kontribuesit kryesor të programit të PD-së, duke shtuar se si njeri i guximshëm dhe me vizion ishte themeluesi i parë i universitetit të parë privat në vend.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e një sërë figurash të njohura si miq të Pashkos, si Fatos Nano, Dashamir Shehi, Aleksandër Meksi, por edhe personazhe të tjerë me të cilët Pashko ka ndarë një pjesë të jetës së tij personale dhe politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›