E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqipëria dhe Kosova së shpejti në BE

Presidenti Bamir Topi në një takim të zhvilluar me përfaqësues të Parlamentit Rinor ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova shumë shpejt do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Parlamentit Rinor shqiptar dhe kosovar. Presidenti Topi theksoi se po bëhen të gjitha përpjekjet që dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së.

“Edhe në brezin e ri të Kosovës ka një profil të qartë qytetar, fisnik, tolerant. Ajo që dominon është e ardhmja, ju keni nevojë të lëvizni të lirë. Po bëhen të gjitha përpjekjet që edhe Kosova të mos jetë një rast i izoluar që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë”, u shpreh gjatë fjalës së tij presidenti Topi.

Sipas tij, bashkëpunimi i pandërprerë me përfaqësues të rinj nga Kosova, ka një realitet të ri që lidhet me momentin e krijimit të shtetit të ri, dhe progresin që bën Kosova. Ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë qendër të përbashkët, Brukselin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›