Kryesia e PD-së, ikin Biberaj e Stringa, në diskutim Mustafaj
TIRANË Pas gati 20 muajsh që nga kongresi i fundit zgjedhor i demokratëve, partia më e madhe në pushtet pritet të zgjedhë pjesërisht strukturat e saj drejtuese këtë të shtunë, kur edhe do të thirret Këshilli Kombëtar. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe njëherësh Kryeministër i vendit, do të thërrasë forumin më të lartë të partisë këtë fundjavë për të analizuar zgjedhjet lokale të 8 Majit, ku koalicioni i djathtë doli fitues me votë popullore. Po ashtu në këtë mbledhje pritet të zgjidhet kryesia e re, forum ky që ka munguar që nga kongresi i fundvitit 2009. Këtë fundjavë nuk pritet të zgjidhet sekretariati i Partisë Demokratike dhe dy nënkryetarët e partisë, edhe pse Patozi në bazë të statutit mbetet nënkryetar i PD-së, sa kohë që është kryetar i grupit parlamentar i PD-së.
Kush ikën
Zgjedhja e kryesisë së re të PD-së ditën e shtunë do të sjellë daljen jashtë nga ky forum në mënyrë automatike të Aleksandër Biberajt dhe Omer Stringës, të cilët nuk janë më anëtar të Këshillit Kombëtar. Në diskutim do të jetë ripërfshirja e Besnik Mustafajit. Ky
i fundit, sipas burimeve nga PD-ja, ka pak gjasa të jetë pjesë e listës së kandidaturave për t’u zgjedhur anëtar kryesie. Ndërkohë, burimet sqaruan gjithashtu për gazetën se emrat kryesorë të PD-së në pushtet këto 6 vitet e fundit do të jenë në listën e kandidaturave për kryesinë qendrore. Fitorja e Lulzim Bashës në Tiranë ka shtuar gjithashtu zërat për përfshirje në këtë kryesi të bashkëpunëtorëve të afërt të tij në fushatën e 8 Majit, si Aldo Bumçi e Jorida Tabaku. Tirana po ashtu pritet të jetë në krye të fjalës së Berishës para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pasi fitoren e kryeqytetit selia blu e kërkonte prej 11 vjetësh. Ndërkaq nuk dihet se si do të justifikohet humbja në bashkitë e mëdha të vendit, si Durrës, Elbasan, apo edhe në ato bashki e komuna në veri të vendit, që kanë qenë bastione të demokratëve në këto 20 vjet.
Përballja mes të vjetërve dhe të rinjve
Ditën e shtunë nuk pritet të jetë surprizë kryesia e re e PD-së, pasi pak a shumë rrjedhja e ngjarjeve në këtë parti nuk premton për ndonjë të papritur. Ajo që do të jetë interesante në këtë mbledhje do të jenë votat që do të marrë secili prej kandidatëve për të qenë anëtar i kryesisë. Këshilli Kombëtar në një farë mënyre do të masë forcat e lidershipit të vjetër, ku përveç Berishës (që pritet të marrë sërish mbështetjen maksimale), dy nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm do të përballen në vota me Lulëzim Bashën, me Sokol Olldashin, aktualisht anëtar i kryesisë së PD-së; Majlinda Bregun, e cila ka pasur ngjitje në strukturat e PD-së; e deri tek Aldo Bumçi apo Gerti Bogdani.
Kryesi me mungesa
Edhe këtë të shtunë, Këshilli Kombëtar do të miratojë një kryesi të paplotë, pasi ky këshill do të zbatojë vetëm paragrafin e fundit të nenit 42 të statutit të partisë, që i referohet numrit të anëtarëve të kryesisë. Në bazë të statutit, Këshilli Kombëtar do të miratojë 25 anëtarë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. Por kryesia në bazë të statutit përbëhet edhe nga: a) Kryetari dhe nënkryetarët e partisë; b) Sekretari i përgjithshëm; c) Kryeministri, kryetari i Parlamentit, që i përkasin Partisë Demokratike; d) Kryetari i bordit financiar; e) Kryetari i grupit parlamentar të PD-së në Kuvend dhe kryetarët e organizatave partnere. Duke iu referuar paragrafit të mësipërm, përveç kryetarit që zgjidhet nga kongresi, Këshilli Kombëtar ka kompetencë që të zgjedhë gjithë pjesën tjetër drejtuese, konkretisht: nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm, kryetarin e bordit financiar dhe atë të organizatave partnere, një proces ky që tanimë është shtyrë për në muajin shtator. Nëse do të mbetemi brenda kësaj kornize, në listën e 25 anëtarëve padyshim që do të jenë të përfshirë paraprakisht dy nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm. Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kryetarin e bordit financiar apo ai i organizatave partnere, të cilët mund të jenë emra të rinj, që nuk janë votuar paraprakisht nga Këshilli për të qenë anëtarë të kryesisë.