Patozi: Vitin tjetër zgjedhim President dhe kryeprokuror tjetër
Nënkryetari i PD, njëherësh edhe kryetar i grupit parlamentar të PD, tha dje në emisionin “Debat” të Alfred Pezës, se pas një viti maxhoranca ka mundësinë që të zgjedhë një president dhe një kryeprokuror tjetër. Patozi, duke folur edhe për angazhimin e Bashës në PD, pas fitores në Bashkinë e Tiranës, theksoi se “zoti Basha do ta përmbushë pritshmërinë jo vetëm të partisë që e kandidoi, por mbi të gjitha të qytetarëve të Tiranës. Ajo që do doja më shumë prej tij është kontrasti i menjëhershëm i dy qeverisjeve, jo thjesht për të sfiduar zotin Rama, tashmë të mundur, por për të treguar seriozitetin, për të treguar se ato që kishte “kal beteje” të fushatës së tij, i kishte seriozisht”.
Ajo doja që unë të thoja ishte se vitin e ardhshëm mazhoranca ka mundësinë që të zgjedhë President dhe Prokuror tjetër
A jeni dakord për bashkëpunim me Partinë Socialiste, siç e kanë kërkuar orët e fundit të gjithë faktorët ndërkombëtarë?
Ne jemi plotësisht të përgatitur, i mirëkuptojmë partnerët tanë për këtë ftesë, por kemi bindjen apo perceptimin se pala tjetër nuk është e përgatitur. Për këtë kemi prova; refuzimi në heshtje i letrës. Pala tjetër nuk është gati dhe ju po thoni pse ju nuk propozoni gjëra më të mëdha, kur ndërkohë jemi në fazën kur ata nuk janë ende në Parlament dhe nuk janë për arsye krejt absurde. Nuk janë në Parlament, që në çastin që nisi numërimi i votave në Tiranë, që është krejt e pajustifikueshme. Dhe sot nuk janë në Parlament, për shkak se Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është ai që ata donin. Është njësoj sikur i gjithë Grupi Parlamentar i PD-së, të mos shkojë në Parlament për shkak se në Bashkinë e Durrësit ka pretendime se Dako i ka vjedhur votat apo ka blerë vota në Kënetë. Deputetët e Kuvendit nuk shkojnë të mbrojnë interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur, për shkak të mandatit të një Bashkie, ndërkohë që zgjedhjet vendore janë shumë dimensionale. Me këtë doja të thoja që ne jemi të përgatitur, ata jo. Ne bëjmë maksimumin, ndërkohë që ata janë ende jashtë Parlamentit, pra ne nuk mund t’i kërkojmë që të hanë tortën, në kohën kur ata po refuzojnë supën, kështu që ne jemi të hapur edhe për dialog më të gjerë, edhe për reforma, por tek e fundit në një demokraci funksionale fushat e bashkëpunimit të Qeverisë dhe Opozitës nuk janë të pamata, ndërkohë që kufijtë që i ndajnë, nuk janë tela me gjemba apo betoni, por janë disa fusha ku të dy palët, kur ka vullnet besimi, mund të bashkëpunojnë dhe këto fusha janë reformat zgjedhore dhe proceset integruese.
A do të votoni ju pro Presidentit Topi, në vitin 2012?
Unë mendoj që nuk do të kem rastin për të arritur këtë pikë. Që do të thotë, se sot jemi shumë shpejt për të folur për Presidentin e ardhshëm. Ne jemi mazhoranca në krye të punëve të vendit dhe sigurisht për ne është shumë larg kjo ditë, pasi ne kemi punë për të bërë, kemi reforma në funksion të ritmeve të zhvillimit të vendit. Ne na duket larg viti 2012, kurse disa të tjerë që “vrasin miza” dhe që janë jashtë institucioneve, dhe që ndoshta luajnë bilardo brenda institucioneve, sigurisht që e kanë afër 2012. Ata vetëm atë ditë presin dhe nuk kanë asnjë punë tjetër, ndërsa ne nuk kemi luksin të futemi në një debat për Presidentin që tani. Unë personalisht do të votoj për propozimin e mazhorancës për Presidentin e Republikës në vitin 2012, gjithmonë në rast se nuk do të gjendet një tjetër rrugë kompromisi, ku Presidenti do të zgjidhet me 84 vota.
Mosqenia vitin tjetër e Presidentit, do të thotë automatikisht dhe mosqenia më e Kryeprokurores Ina Rama...
Nuk besoj se ka ndonjë rëndësi emri i Prokurorit të Përgjithshëm. Për ne ka rëndësi institucioni edhe ndryshimet në ligjin organik, për titullarin e institucionit dhe për mandatin e tij kanë pasur këtë qëllim, reformën institucionale. Që do të thotë, të mos varet institucioni nga emri i titullarit, sepse prokuroria është një institucion shumë delikat. Në nuk do ta zhvendosim debatin tek emri i përvetshëm, por me siguri ajo që unë mund t’ju pohoi që tani është se Prokuroria e Përgjithshme ka shumë probleme me mënyrën se si e trajton ligjin dhe Kushtetutën. Kjo do të thotë që ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si funksionin Prokuroria e Përgjithshme dhe nuk jemi mëdyshur për ta thënë këtë, sa herë është dhënë rasti. Ajo që unë doja të thosha ishte se vitin e ardhshëm, mazhoranca ka mundësinë që të zgjedhë president dhe prokuror tjetër.
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në një intervistë për gazetën “MAPO” ka deklaruar zotin Lulzim Basha, si numrin 2 të Partisë Demokratike. Ndani të njëjtin mendim me të?
Unë kam një rregull, që nuk komentoj deklaratat e të tjerëve, aq më tepër kur bëhet fjalë për kolegët e mi. Respektoj çdo mendim të lirë të gjithsecilit, por nuk e kam në natyrë që të komentoj deklaratat e tyre dhe mendoj që nuk më takon ta bëj një gjë të tillë.
Pas fitores së mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ju e shikoni Lulzim Bashën më lart në strukturat drejtuese të PD-së?
Unë e shoh si një nga kapacitetet e mëdha që ka Partia Demokratike, edhe përpara se të zgjidhej si kryetar. Tani që u zgjodh, ai sigurisht që ka shtuar pikët në karrierën e tij politike dhe unë pres që ai ta demonstrojë në terren atë që ai është i zoti të bëjë dhe atë që ai ka premtuar, dhe kam bindje se zoti Basha do ta përmbushë pritshmërinë jo vetëm të partisë që e kandidoi, por mbi të gjitha të qytetarëve të Tiranës. Ajo që do doja më shumë prej tij është kontrasti i menjëhershëm i dy qeverisjeve, jo thjesht për të sfiduar zotin Rama, tashmë të mundur, por për të treguar seriozitetin, për të treguar se ato që kishte “kal beteje” të fushatës së tij, i kishte seriozisht
Intervistoi Alfred Peza