E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Sfidë financimi në fushën e shëndetësisë

Në këtë kontekst, kryeministri shprehu vlerësim për punën e mjekëve, infermierëve, personelit të ministrisë së shëndetësisë, fakultetit të mjekësisë, si dhe strukturave të tjera, për punën me përkushtim në arritjen e nivele të larta, për sa i përket treguesve themelorë të shëndetësisë të një vendi.

Berisha theksoi se përbën një arritje historike fakti që Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara për sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të një vendi, siç janë vdekshmëria foshnjore apo ajo amtare apo vdekshmëria në tërësi e popullatës.

“Këto arritje duhet të jenë një frymëzim i ri i madh për të gjithë sistemin tonë, në mënyrë që ti përsosim shërbimin shëndetësor në të gjitha hallkat e tij, të mund të afrojmë një shërbim shëndetësor cilësor dhe natyrisht objektivat që duhet të ndjekë nuk janë më të thjeshta. E vërteta është që janë një sfidë e vërtetë”, u shpreh Kryeministri.

Gjatë mbledhjes dhe diskutimeve me grupin e Task Forcës, një vend të veçantë Kryeministri i dha zhvillimit dhe forcimit të shërbimit të kardiokirurgjisë së fëmijëve, për rolin e madh që ka ky shërbim në trajtimin e hershëm të defekteve të zemrës te fëmijët. Duke vlerësuar arritjet e përparimet në fushën e kardiopediatrisë e kardiokirurgjisë së fëmijëve, Berisha shprehu  mbështetjen maksimale të qeverisë që këto shërbime të zhvillohen e forcohen më tej. Kryeministri vuri theks të veçantë që duhet rritur numri i pacientëve që përfitojnë nga transplanti i veshkave këtu në Shqipëri.

Teksa ka përmendur uljen e vdekshmërisë foshnjore, kryeministri përmendi gjithashtu edhe ecurinë e kënaqshme në drejtim të protokolleve të praktikës klinike apo kostifikimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat janë procese që duhet të finalizohen dhe të përsosen më tej. Kryeministri renditi gjithashtu investime të rëndësishme në drejtim të teknologjisë, procesit të dixhitalizimit , etj, të cilat kërkojnë vijimësinë e funksionimit të tyre.

“Është bërë një  investim serioz në drejtim të teknologjisë, por kjo kërkon garantimin e funksionimit të saj. U inaugurua telemjekësia, por kjo kërkon shfrytëzimin maksimal të saj dhe ne vetvete vetë shfrytëzimi i potencialeve të saj përbën një sfidë për mjekun kudo që ndodhet. Përgatitje janë bërë për të ndërmarrë procesin më të plotë të dixhitalizimit. 15 milion euro është projekti më kushtueshëm. Projekti i dixhitalizimit të sistemit shëndetësor është projekti më i kushtueshëm që ne kemi si qeveri edhe më i kushtueshëm se edhe vete sistemi tatimor , etj, por ne kemi vendosur dhe do të bëjmë dixhitalizimin më të plotë” tha ai.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit, ndonëse situata në këtë drejtim është përmirësuar ndjeshëm. “Studime të besueshme të opinioneve faktojnë se ka më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit, por u shpreh kryeministri, ne duhet të arrimë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin, në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë.” Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi gjetjen dhe zbatimin e mekanizmave sa më efikase për të luftuar korrupsionin në çdo hallkë dhe për të rritur transparencën. /Start/

                                                                                             2012-04-08 14:49
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›