Berisha: Shkolla Bujqësore sipas modelit amerikan në gjithë qarqet e vendit
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të disa mjediseve dhe laboratorëve të rinj të Universitetit Bujqësor (UBT), në Kamzë. Konkretisht, godina dhe laboratorët e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, laboratorët e financë kontabilitet dhe shkencave të aplikuara të Fakultetit Ekonomik.
Në vitet 2007-2012, në UBT janë investuar rreth 86 milionë lekë, në infrastrukturë, modernizimin e mësimdhënies, për projekte të programit kombëtar për kërkim dhe zhvillim, për fondin e ekselencës etj.,
UBT ka në strukturën e saj organizative 5 fakultete dhe një filial. Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit përgatit inxhinierë agroushqimorë, bioteknologë dhe specialistë të ushqimit e sigurisë ushqimore.
Në vitin akademik 2010-2011, UBT ka 11067 studentë.
Por gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha nënvizoi domosdoshmërinë për ngritjen dhe funksionimin e shkollave profesionale bujqësore.
“Shqetësimi im i madhe lidhet me arsimin e mesëm profesional bujqësor. Këto shkolla janë jetike për zhvillimin e vendit, ndaj kërkoj që të ulemi së bashku për të sjellë këtu shkollat bujqësore të tipit amerikan. Duhet dhe do të hapen shkolla bujqësore në qarqet kryesore të vendit”, vuri në dukje Berisha.