Timori Lindor njeh Pavarësinë e Kosovës; Ministri i Jashtëm Hoxhaj merr letrën e homologut Guterres
Timori lindor bëhet shteti i radhës që njeh pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar një letër nga Ministri i Punëve të Jashtme të Timorit Lindor, Hoze Luiz Guterres, përmes së cilës ky shtet njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. “I nderuari Ministër Hoxhaj, shpreh mirënjohjen për vizitën tuaj në Timorin Lindor me 15 shtator, ku ne kemi diskutuar çështjet e interesit të përbashkët. Timori Lindor ndan eksperienca të përbashkëta dhe solidarizohet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës. Kam nderin që t’u përcjell juve, dhe përmes juve Qeverisë së Kosovës, se Qeveria Demokratike e Timorit Lindor njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Me këtë njohje formale është dëshira ime që Timori dhe Kosova mund të lidhin marrëdhënie diplomatike sa më parë”, thuhet në letrën dërguar Ministrit Hoxhaj. Në këtë letër po ashtu thuhet se Timori Lindor shpreh urimet e përzemërta popullit të Kosovës për progresin e arritur.
...