Berisha: Shmangëm një katastrofë njerëzore
Kryeministri falënderoi ata qindra burra dhe gra të komunave të përmbytura të Dajçit, Anës së Malit dhe Gurit të Zi që në bashkëpunim me autoritetet vendore e qendrore, në një përpjekje të jashtëzakonshme, bënë "që në një betejë që po vazhdon për gati dy javë të mos kemi as edhe një jetë njeriu të humbur". “Në këtë hark kohor të shkurtër janë evakuar mbi 5 mijë qytetarë nga zonat e përmbytura dhe mijëra krerë gjë e gjallë”, tha Kryeministri, duke vlerësuar në këtë operacion angazhimin dhe gadishmërinë e forcave të rendit, ushtrisë, etj. Shkodra, siç u shpreh Kryeministri, njohu vërtetë ngjarjen më të rëndë ndoshta të 100 viteve të fundit, por Shkodra njohu dhe solidaritetin më të madh në tërë historinë e saj. Ai kujtoi me këtë rast ndihmat e shumta nga vendet mike, si Kosova, Italia, Austria, Greqia, Franca, Maqedonia dhe një seri vendesh dhe organizmash të tjera ndërkombëtare që merren me fatkeqësi natyrore. Kreu i qeverisë cilësoi në fjalën e tij se në rrafshin ekonomik përmbytja në Shkodër ka shkaktuar dëme të mëdha, pasi qëndrojnë nën ujë tokat më pjellore të trojeve shqiptare, një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor të vendit. “Soldariteti juaj, i komuanve të Kosovës, qeverisë maqedonase kanë qenë dhe janë një mbështetje e madhe në kapërcimin e këtyre pasojave”, vijoi Berisha, duke falenderuar dhe qeverinë e Malit të Zi e cila dërgoi përfaqësuesit e saj dhe u anagzhua në një ndihmë shumë të çmuar. Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë se një punë jashtëzakonisht eficente ka bërë dhe KESH, Ministria e Energjetikës e cila me kompetencën më të madhe u përball me situatën më të jashtëzakonshme. Sipas tij, janë mbi 800 anëtarë të FA që operojnë aktualisht në këtë zonë, 110 të tjerë janë personel shëndetësor, 115 punonjës të Gardës së Republikës, qindra e qindra të tjerë përfaqësues të qeverisë qëndrore, drejtues të komunave, bashkive, etj. Ai nënvizoi se qeveria krijoi komitetin ndërministror që në bashkëpunim me autoritetet vendore ka ndjekur dhe po ndjek çdo minutë dhe çdo orë situatën e krijuar në Shkodër.