Berisha: Shpresa e shqiptarëve në rrugën e integrimit është vetëm opozita

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, tha se opozita është e vetmja shpresë e shqiptarëve në rrugën e integrimit.
Berisha kërkoi mobilizimin dhe angazhimin e opozitës me të gjitha potencialet e saj, për t’u ngritur në revoltë kundër qeverisë.
“Sot opozita duhet të angazhohet në një dialog intensiv, deputetët duhet të angazhohen në një dialog intensiv me zgjedhësit e tyre. Ata që e kanë votuar dhe ata që se kanë votuar, sepse angazhimi qytetar, përgjegjësia qytetare ndaj kësaj gjendje dramatike të krijuar është rrugëzgjidhja e vetme.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 22 mars në Tiranë, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm reagimi kundër qeverisë.
“Gjer sot ne kemi bërë përpjekje të mëdha, përpjekje edhe më të mëdha dhe më të suksesshme kërkohen nga ne dhe çdo shqiptar. Data 22 mars është ditë frymëzimi. Të gjithë qytetarët e këtij vendi, duhet të tregojnë zemërimin, revoltën e tyre, ti përgjigjemi flakë për flakë, për ti thënë Edi Ramës se nuk njohim kurrë qytetar mbi ligjin”, tha ai.
Në fjalën e tij ai theksoi se zgjidhja e krizës politike, sipas tij, kalon vetëm përmes largimit të kryeministrit.
Berisha tha gjithashtu se “jemi në një situatë kritike në parlament, por ne përsëri duhet të intensifikojmë të gjithë kërkesat tona, sugjerimet tona, amendamentet tona, në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve”.
“Ata kanë gjetur një mënyrë, të mbyllin parlamentin, të bëjnë 15 minuta dhe ta mbyllin. Por ne do të bëjmë gjithçka që parlamenti të shndërrohet në tribunën e diskreditimit të tyre të plotë, siç e meritojnë. Siç e meritojnë para shqiptarëve dhe botës”, tha Berisha.
/m.q/a.f/