E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, e gatshme t’i akordojë Kosovës një port, për interesat e saj

Kryeministri Berisha ka pritur dje katër ministra të qeverisë së Kosovës, të cilëve u ka rinovuar premtimin e hershëm të së djathtës, që t’i jepet shtetit të ri ballkanik ekskluziviteti i përdorimit të njërit nga portet veriore të Shqipërisë. Ministrat e kabinetit “Thaçi” e falënderuan kryeministrin shqiptar për prioritetin dhe vlerësimin e lartë që i jep projektit dhe shprehën dëshirën që projekti i Shëngjinit të nisë sa më shpejt nga zbatimi

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se Shqipëria do të krijojë të gjitha hapësirat për akordimin e një porti shtetit të Kosovës në bregdetin shqiptar, për të plotësuar interesat e saj. 

Konfirmimi u dha gjatë një takimi që kreu i qeverisë Berisha zhvilloi me një përfaqësi të qeverisë së Kosovës, ministrat Fatmir Limaj, ministër i Transporteve, Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zhargu, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, të cilët shoqëroheshin nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula.  

Fatmir Limaj që kryesonte delegacionin i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu dhe i dorëzuan kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet rreth portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror. 

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen grupit të ministrave të Kosovës dhe u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t’i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj.

Më tej, të dyja palët diskutuan gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës. Gjithashtu u theksua se rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik dhe pas mbarimit edhe të portit distancën e Kosovës me tregun e gjerë evropian.

Kryeministri u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare ndjekin me vëmendje dhe admirim zhvillimet pozitive në Kosovë, të cilat po e çojnë Kosovën drejt një konsolidimi të sigurt të pavarësisë të shtetit ligjor dhe duke konsoliduar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon.

Berisha u shpreh se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë në mënyrë të përbashkët gjithmonë e më shumë drejt hapave të integrimit dhe njësimit të praktikave në fusha të ndryshme për tu krijuar sa më shumë lehtësi qytetarëve të tyre.

Lidhur me këtë grupi i përbashkët ndërministror duhet të shohë mundësinë e bashkëpunimit edhe në fushën energjetike për ndërtimin e burimeve të përbashkëta të energjisë, lidhjes hekurudhore, njësimit të programeve arsimore dhe kulturore, në projekte të përbashkëta në impiantet e turizmit malor në Alpet e Shqipërisë duke u ndalur veçanërisht në krijimin e një rrjeti të pikave të përbashkëta të kontrollit doganor për të rrëzuar kështu pengesat burokratike në lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Ministrat e Kosovës falënderuan kryeministrin Berisha për prioritetin dhe vlerësimin e lartë që i dha projektit aq të rëndësishëm për Kosovën për të dalë në detin Adriatik, si dhe i shprehën edhe njëherë mirënjohjen për kontributin personal të tij në pavarësinë e Kosovës që pati ditëlindjen e saj para pak ditësh.

Me këtë rast ata i dorëzuan kryeministrit Berisha një dhuratë të veçantë të kryeministrit Thaçi një bust bronzi të artistit kosovar Luan Mulliqi me titullin “Kjo tokë ka zot” që pasqyronte komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.           

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›