Çel punimet konferenca “Karta e Adriatikut - Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë ka çelur dje punimet në Tiranë konferenca me titull “Karta e Adriatikut - Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”. Ky aktivitet zhvillohet pak ditë pas mbylljes me sukses të procesit të ratifikimeve të Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të NATO-s, ku marrin pjesë parlamentarë të Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi dhe me praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s David Hobs.
Konferenca “Karta e Adriatikut - Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor” ka për qëllim të konfirmojë dhe të shprehë vendosmërinë e vendeve të Kartës së Adriatikut, për të thelluar bashkëpunimin në zbatimin e reformave në fushat politike, të mbrojtjes, të të drejtave të njeriut, sigurisë, ekonomisë, e më gjerë për integrimin në NATO.
Kryeministri Sali Berisha
“Integrimi në NATO është një moment kulmor për çdo vend, por për vendin tonë integrimi në NATO është liri e sigurt dhe e ardhme e sigurt”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në punimet e konferencës me temë “Integrimi euro-atlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri u shprehu mirënjohje të veçantë qeverisë dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që themeluan në Tiranë Kartën “Adriatik 3”, si dhe Asamblesë Parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke bërë të mundur që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës, në Samitin e Strasburgut-Kelit, në prill të këtij viti.
Duke iu referuar besimit që vendet anëtare të NATO-s kanë dhënë për Shqipërinë, kreu i ekzekutivit Berisha, garantoi të pranishmit se i tërë ky besim do të shndërrohet për qeverinë në një përgjegjësi më të madhe, në mënyrë që vlerat e përbashkëta të qëndrojnë në themelet e Aleancës dhe që kombet tona ndajnë dhe të njohin konsolidim të vazhdueshëm në Shqipëri.
Kryeministri Berisha renditi disa nga reformat më të rëndësishme dhe sukseset që ka arritur qeveria në sajë të tyre.
Më tej, Berisha përmendi bashkëpunimin me forcat politike në vend, duke e cilësuar si një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që ka bërë të mundur progresin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Për sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në muajin qershor, kryeministri siguroi të pranishmit se “qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të zhvilluar zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Kreu i qeverisë i ftoi që vendet e tyre të sjellin në Shqipëri vëzhgues për zgjedhjet, ndërsa u shpreh se “do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona që të nderojmë, në radhë të parë qytetarët shqiptarë, por të nderojmë edhe miqtë tanë për besimin e tyre ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë shqiptare”.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli
“Në samitin e NATO-s në prill, jam krejt të sigurt se do të tregojmë se së bashku me Amerikanë e Evropianë, me vendet e Baltikut të Veriut, me Turqinë e Kanadanë, jemi gati të takohemi me sfidat dhe premtimet e shekullit të 21-të. Ky është një fillim i ri në historinë tonë me përpjekje mijëvjeçare për liri, paqe, stabilitet, mirëqenie e siguri”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në konferencën e Kartës së Adriatikut, “Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat në Ballkan Perëndimor”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Duke u shprehur se “Shqipëria në NATO është një vlerë e shtuar, Kryeparlamentarja Topalli, shtoi se “vetëm forca e lirisë te njeriu ka bërë të mundur që ne të transformohemi e të vendosemi në anën e drejtë të historisë. Pa dyshim që kanë qenë vite sfidash të vështira e të rëndësishme të vendit tonë e të vendeve tona. Po të kthejmë kokën pas, kur sekretari i shtetit Kolin Pauell dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë (me 2 maj 2003) nënshkruan A3-shin si një kurs drejt anëtarësimit në NATO, kanë kaluar pak vite, por kanë ndodhur shumë ngjarje”, kujtoi më tej Topalli.
Të gjithë këtë rrugë, deri në anëtarësimin e plotë në NATO, Topalli e vlerësoi si një ndryshim imazhi, dhe si një sfidë për më shumë reforma.
“Imazhi ynë ka ndryshuar por mbi të gjitha këtë besim ne e vlerësuam si një sfidë
për të thelluar më shumë reformat për të rritur ekonominë, për të modernizuar shtetin tonë. Ne sot flasim me vepra dhe jo me fjalë. Ne jemi krenarë që kemi kontribuar në Irak, në Bosnje Hercegovinë dhe që kontribuojmë e do rrisim kontributin në Afganistan”, u shpreh Kryeparlamentarja.
Withers: Historia shlyen veten, NATO mirëpret Shqipërinë
Kur kanë mbetur më pak se 5 muaj nga anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë Xhon Withers, e konsideron këtë si një moment historik, për vendin dhe NATO-n.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për “Kartën e Adriatikut dhe integrimin euroatlantik”, ai tha se vetëm pas pak javësh, të gjitha sakrificat dhe përpjekjet e Shqipërisë do të shpërblehen duke qenë përkrah vendeve të tjera, anëtare të aleancës së fuqishme të NATO-s.
“Në pothuaj pesë javë ne do të arrijmë një moment historik. Aleanca më e madhe politike dhe e sigurisë e kohëve moderne do të mirëpresë Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota. Ky do të jetë një nga ato momentet në të cilat historia shlyen vetveten. Për një kohë shumë të gjatë vendet e Evropës qendrore e lindore u izoluan nga trashëgimia e tyre e vërtetë, anëtarësimi në komunitetin Euro-Atlantik. Por, në këtë ditë, vetëm pak javë më vonë, të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat, e gjithë vendosmëria e popullit shqiptar do të shpërblehet dhe ata do të bashkohen me ne dhe aleatët tanë më të ngushtë në aleancën më të madhe të historisë sonë”, u shpreh Uithers.
Sipas tij, Karta e Adriatikut ka shërbyer si një përbërës kryesor për këtë që është arritur. “Gjatë 6 viteve të fundit, SHBA kanë qenë krenarë të të qenit pjesë e kësaj Karte. E megjithëse Ballkani është portretizuar shpesh si një rajon konflikti, Karta e Adriatikut ka shërbyer shumë për ta përmirësuar këtë imazh. Karta tregoi se kur shumë shtete bashkohen në një kauzë të përbashkët, atëherë ato ia arrijnë qëllimit”, u shpreh ai.
Të mirat e përfituara nga ky bashkëpunim sipas tij, mund të shihen tek ftesa e marrë për në NATO.
“Dhe ne përgëzojmë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për arritjen e tyre. Ne presim plotësisht që Maqedonia të vijë në NATO pasi të ketë përfunduar negociatat e saj me Greqinë, e presim me kënaqësi. NATO është shumë më tepër se një aleancë me interesa ushtarake. Ajo është shtëpia e përbashkët e të drejtave demokratike”, theksoi përfaqësuesi i shtetit amerikan në Shqipëri. Ai shtoi më pas se anëtarësimi në NATO do të shënojë një akt të veçantë për vendet e Kartës së Adriatikut. “Por ky nuk është fundi, është vetëm fillimi. Është një hap drejt përparimit të pakthyeshëm që ne kërkojmë. Ne presim që ai të vazhdojë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kroaci e Maqedoni. Këto vende do mësojnë të tjerat që janë aspiruese të familjes së NATO-s mbi eksperiencën e tyre”, deklaroi Withers.
...