E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria e interesuar për investimet kineze

Kryeministri Berisha e cilësoi këtë vizitë si kontribut për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjithashtu, ai shprehu falënderimet e tij për ndihmën bujare që qeveria kineze i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve dhe për politikën e Kinës si një politikë paqeje dhe stabiliteti.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Berisha u shpreh se me zhvillimin e fuqishëm ekonomik, Kina është shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik të dhjetëra e dhjetëra vendeve.

"Qeveria shqiptare është e interesuar për rritjen e investimeve kineze në Shqipëri", u shpreh Berisha, ndërsa konfirmoi vullnetin për krijimin e lehtësirave për kompanitë kineze që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë.
Ndërkohë, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe ftesën e bërë nga Partia Demokratike, Kryetari i delegacionit, z. Liu Yunshan përcolli përshëndetjet e Presidentit dhe Kryeministrit të Kinës dhe u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, stimulimin dhe çuarjen përpara të tyre.

"Ne, si një popull mik i popullit shqiptar, jemi të kënaqur që Shqipëria ka realizuar një zhvillim të shpejtë ekonomik e kulturor, rritje të nivelit të jetesës dhe është një vend me vitalitet të rrallë ndërtimi dhe zhvillimi. Shqipëria ka korrur suksese në përballimin e krizës financiare botërore dhe kjo në sajë të përpjekjeve dhe trajtimit shumë të mira nga ana e qeverisë tuaj", u shpreh z.Liu Yunshan.

Zoti Liu Yunshan e siguroi Kryeministrin se qeveria kineze do të nxisë sipërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri. Ai u shpreh se ishte njohur me treguesit e rritjes së eksporteve të Shqipërisë me Kinën, të cilat në 6-mujorin e parë të këtij viti, janë rritur 600 për qind, në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo është një arsye për rritjen e marrëdhënieve ekonomike- financiare ndërmjet dy vendeve tona.

Për sa i përket turizmit, z. Liu Yunshan u shpreh se ka interes nga pala kineze për të investuar në këtë fushë, pasi çdo vit 20 milionë turistë kinezë vizitojnë vendet e Evropës.

Gjithashtu, ai shprehu interes edhe për bashkëpunim lidhur me shkëmbimet kulturore ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunim në fushën e arsimit, të shëndetësisë, etj.

Në këtë takim, kryeministri Berisha foli edhe për çështjen e Kosovës, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qartësoi së shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se rasti i Kosovës është një rast sui generis. "Njohja e Kosovës, i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon", tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›