E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria e vendosur t'i përgjigjet kërkesave të NATO-s

TIRANË- Qeveria shqiptare është e vendosur t'i përgjigjet të gjitha kërkesave të NATO-s për paqen dhe stabilitetin.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u organizua ceremonia e përfundimit të trajnimit të përbashkët midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcave të Armatosura të SHBA, i cili në muajin korrik do të shkojë në Afganistan për të trajnuar forcat ushtarake afgane.

"Ju shkoni atje për të stërvitur ushtarakët afganë, për të marrë në dorë sigurinë e vendit të tyre në një proces të domosdoshëm tranzicioni. Ju shkoni në këtë mision si një njësi e një vendi anëtar të NATO-s dhe ne ia detyrojmë anëtarësinë në NATO, para së gjithash mbështetjes së fuqishme të qeverisë së SHBA-së dhe ushtrisë amerikane",- theksoi kryeministri Berisha.

Të pranishmit në ceremoni u përshendeten edhe nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cili në fjalën e tij deklaroi se edhe pse ky është një mision trajnimi mbetet një mision i rrezikshëm.

Në përfundim të ceremonisë Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar, nënkolonel Arian Hila .
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›