Berisha: Shqipëria është 67 mijë kilometra katrorë, jo 28

Kryeministri, Sali Berisha, nuk ka hequr dorë nga qasja e tij nacionaliste për bashkimin e trojeve etnike të Shqipërisë. Gjatë inaugurimit të një rruge në Tiranë që mban emrin e ish-ministrit të Jashtëm të Perandorisë austro-hungrareze, Leopold Bertold, Berisha foli për copëtimin e territorit të Shqipërisë.
“Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jug-perëndimore të tij. Por momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bën të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur. Ndaj dhe ai mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të themeluar shtetin shqiptar si një domosdoshmëri jetike për të shpëtuar shqiptarët, kombin që ai e donte dhe respektonte, nga shuarja e tyre nga harta politike e Evropës”, u shpreh kryeministri.
Mirëpo, Berisha ka nënvizuar se disa nga fuqitë e Konferencës së Londrës, kënaqën aleatët e tyre duke u “dhuruar” pjesë të territorit të Shqipërisë me anë të vendimeve të fshehta.
“Pas shpalljes së pavarësisë përfaqësuesit e Perandorisë Austro-Hungareze insistuan dhe ia dolën që Konferenca e Londrës, e cila do merrej me përcaktimin e kufijve të përcaktojë parime të ndershme për punën e saj. Pra kufijtë, sipas atyre parimeve, do të vendoseshin në përputhje me shumicën etnike dhe vazhdimësinë gjeografike të saj. Mirëpo fuqitë e tjera, të pranishme në atë Konferencë, i shndërruan territoret shqiptare në plaçkë tregu për aleatët e tyre ballkanikë. Të tjera deklaronin ditën dhe të tjera gjëra të kobshme mbi shqiptarët vendosnin natën”, është shprehur Berisha./Indeksonline/