E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Shqiptarët në Maqedoni janë në pozitë të rëndë

Partia Demokratike Shqiptare mbajti kuvende zgjedhore në komunën e Çairit, Butelit dhe Shutkës.

Në kuvendin zgjedhor të degës së PDSH-së në Cair u zhvilluan punimet për zgjedhjen e kandidatit për kryetar komune dhe zgjedhjes së listës së këshilltarëve që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike Shqiptare në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Për kandidat për kryetar komune u zgjodh Muhamed Thaçi, ndërsa për bartës të listës së këshilltarëve u zgjodh Neçko Koxha.

Edhe në degën e PDSH-së në Butel u zhvillua kuvend zgjedhor në të cilin po ashtu u zgjodh kandidati për kryetar të komunës së Butelit dhe lista e kandidatëve për këshilltarë. Kandidat për kryetar komune u zgjodh Ermond Miftari, ndërsa për bartës të listës së këshilltarëve komunal u zgjodhFerdi Sejfullahu, raporton ina.

Punime të kuvendit u zhvilluan edhe në degën e PDSH-së në Shutkë ku për kandidat për kryetar komune u zgjodh z.Ibrahim Suma ndërsa për bartës liste
z.Halit Iseni.

Punimet e Kuvendeve zgjedhore i ndoqi edhe Kryetari i PDSH-së z.Menduh Thaçi i cili përpara të pranishmëve në kuvendet e mbajtura u shpreh:

“Jam shumë i gëzuar që ne arritëm ta forcojmë partinë dhe ta ristrukturojmë ashtu siç duhet në Shkup. Tash na pret fitorja, pa dyshim na pret edhe qëllimikryesor që ne e kemi projektuar si parti: të zgjedhim problemin e shqiptarëve në Maqedoni. Të jeni të sigurt se unë si kryetar partie dhe gjithë kryesia e partisë në mënyrë shumë serioze do të punojmë për zgjedhjet lokale në Çair, do të punojmë nëpër shtabe të organizojmë sa më mirë strukturat këtu. Ndërsa juve do ju kisha lutur që të komunikoni me njerëzit pa ndërprerë, të mos të quani askënd as BDI as parti tjetër, por thjesht të bisedoni me ta, të pyesni se si jetojnë? a kanë ndihma sociale? a kanë përkujdesje për fëmijët e tyre? a kanë ambulantë? a kanë çerdhe? a kanë paqë? a kanë siguri?”
Thaci ka folur edhe për manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë në Shkup, në të cilin morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Është një çështje aktuale shumë e përfolur dhe sigurisht se edhe juve ju intereson se pse kryetari i juaj nuk ishte në atë cirkusin që u mbajt para 48 orëve në Shkup. Cila ishte arsyeja kryesore se pse nuk isha unë aty. Shpjegojuni njerëzve se unë po të kisha qenë aty si disa “liderë” politik të tjerë në Maqedoni, do të bëhesha bashkë-fajtor me të gjitha ata që manipulojnë me të huajt se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është shumë e mirë dhe tash është koha për të bërë dasëm. Ndërsa nga ana tjetër gjuha Shqipe nuk është zyrtare, flamurin na zvogëluan për 33% në krahasim me atë të maqedonasve, papunësi e madhe, diskriminim, varfëri, padrejtësi, procese të montuara, burgosje etj etj. Sikur të kisha qenë prezent aty, ne shqiptarët e Maqedonisë 50 vjet s’do të mundeshim të sqarohemi se nuk na bëjnë punët në Maqedoni! Udhëheqësit duhet të jenë të kujdesshëm, sidomos drejtuesit e strukturave kryesore politike, sepse nuk mundet për qejf të vetin të dalin në televizor dhe të kërkojnë pak duartrokitje, ta shesin interesin e njerëzve të cilët e mbështesin! Shumica absolute e shqiptarëve në Maqedoni janë të pakënaqur, këtë opozita dhe lideri i opozitës e përfaqëson edhe para Shqipërisë edhe para Kosovës edhe para Bashkësisë Ndërkombëtare, unë nuk kam mundur të shkoj aty për shkak të njerëzve të cilët i përfaqësoj, shqiptarët jetojnë keq dhe janë në pozitë të rëndë, s’është koha për të bërë dasëm”, deklaroi Thaçi.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›