E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, gati për sistemin antiraketor

Garancia për këtë lëvizje erdhi edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta

TIRANË - Shqipëria është e gatshme që të instalojë në territorin e saj mburojën antiraketore. Këtë qëndrim e shprehu dje kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Adres Fogh Rasmusen.


Kryeministri Berisha nuk ka hezituar aspak dje për këtë lëvizje që në Europë ka hapur shumë debate, duke theksuar se qeveria shqiptare do të pranojë çdo kërkesë të Aleancës, mbi vendosjen e sistemit antiraketor në vendin tonë.


"Shqipëria është e gatshme që t'i japë përgjigje pozitive çdo kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen sigurinë dhe stabilitetin", - tha dje Berisha.


Thuajse të njëjtën qëndrim mbajti edhe zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë takimit me shefin e NATO-s, duke theksuar se qeveria shqiptare ka ofruar mbështetjen e saj për të bërë të mundur vendosjen e sistemit antiraketor.


"Po kështu diskutuam edhe mbi mbrojtjen raketore dhe në këtë pikë ritheksova mbështetjen tonë për Përqasjen Adaptive me Faza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mund të sigurojë një kontribut shumë të rëndësishëm për arkitekturën e mbrojtjes raketore të NATO-s në Europë dhe për mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët", - u shpreh Meta.


Politika e vendosjes së sistemit antiraketor në Europë është iniciuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat theksojnë se administrata Obama e bën këtë për t'ia përshtatur kërcënimeve që shfaq aktualisht shteti i Iranit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›