SHISH, Rasmusen: Duhet të zbatohen rregullat e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s konfirmoi bisedën e zhvilluar me kryeministrin për draftin e SHISH-it
TIRANË - Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Andres Fogh Rasmussen, në vizitën e tij të parë në Shqipëri që pas marrjes së detyrës, i ka kërkuar dje Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, që projektligji për Shërbimin Informativ Kombëtar të miratohet në Kuvend në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Rasmusen konfirmoi faktin se ai kishte zhvilluar më parë edhe një telefonatë me kreun e qeverisë shqiptare, duke i kërkuar atij tërheqjen e projektligjit për Shërbimin Informativ, ndërkohë që shumica në pushtet e kishte bërë atë gati për miratim në Parlament. Por, përpos pohimit të bisedës së zhvilluar, Rasmussen nuk bëri publike se ku kishte gabuar qeveria me ligjin e SHISH-it.
"Së pari, dua të konfirmoj që unë kam pasur një telefonatë me kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndër mend të komentoj për çështjen e shërbimit sekret ose të sigurisë.
Së fundi, më lejoni të theksoj se kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s", - tha dje Rassmusen.
Ai e bëri këtë apel, pas telefonatës së një muaji më parë drejtuar Kryeministrit Berisha, ku i kërkonte specifikisht që drafti për SHISH-in duhet të kalonte më parë në shqyrtim nga ekspertiza e organizatës së Atlantikut të Veriut dhe më pas të miratohet në Kuvend.
Përveç telefonatës së kreut të NATO-s, Shqipëria mori edhe një letër nga zyra e kësaj organizate, ku i kërkohej që ky projektligj të kalonte më parë nga kjo zyrë, e ashtuquajtur NOS, e cila përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes.
Përpos, presionit të NATO-s për të mos miratuar ligjin e SHISH-it, qeverisë shqiptare i është bërë apel edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Shumica e djathtë e miratoi këtë projektligj në komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe e bëri atë gati për t'u miratuar në Parlament.
Por, një telefonatë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Adres Rasmusen, dhe thirrja e faktorit ndërkombëtar, bëri që mazhoranca ta tërhiqte atë nga Kuvendi, në "minutat e fundit".
Vërejtjet
Nisur nga vërejtjet e ndërkombëtarëve, tre janë dispozitat ku pritet të ndërhyhet në këtë draft dhe pikërisht në nenin 2, 3 dhe 9 të projektligjit. Në nenin dy të draftit përcaktohen detyrat e SHISH-it dhe pikërisht paragrafi i dhjetë, i cili sanksionon se shërbimi në përmbushje të detyrave të tij për bashkëpunimin dhe marrjen e informacionit për shërbimet e tjera duhet të marrë paraprakisht në parim pëlqimin e kryeministrit.
Problematik për sa i përket pavarësisë politike konsiderohet edhe neni 3 i draftit paragrafi 7, nëpërmjet të cilit përcaktohet se drejtori i SHISH-it i raporton kryeministrit në çdo kohë për çështjet që lidhen me veprimtarinë e tij.
Një tjetër pikë e këtij projekti që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vetë këtij shërbimi dhe shumicës qeverisëse është edhe neni 9, i cili siç mësohet është vendosur në projektligj nga mazhoranca pa pëlqimin e drejtuesve të SHISH-it.
Bëhet fjalë për dispozitën kalimtare me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH-it, i cili do të ketë tashmë një mandat 5-vjeçar, pavarësisht se nga e drejta e rikandidimit nuk përjashtohet as kreu aktual, Bahri Shaqiri.
Megjithatë, nga mënyra dhe këmbëngulja e mazhorancës në këtë variant tregon qartë se qëllimi i saj midis të tjerave është edhe zëvendësimi i Shaqirit në krye të SHISH-it.