Protesta, SHISH kalon në gatishmëri nr.1

Punonjësit e SHISH do jenë 24 orë mes protestuesve të opozitës. Vijnë FNSH nga Laçi, Fieri dhe Elbasani. Dy mijë polici për të ruajtur opozitën
TIRANË - Protesta e Partisë Socialiste, ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e sigurisë në vend. Burime të Shërbimit Informativ Shtetëror pohuan dje për "Shekullin" se i gjithë personeli i tyre ka kaluar në nivelin e gatishmërisë numër
1. Strukturave të SHISH iu është kërkuar që të ndërpresin të gjithë veprimtaritë e tjera dhe të përqendrohen në drejtim të sigurimit të informacionit për mitingun.
Kështu të gjithë agjentëve, oficerëve specialistëve dhe drejtuesve, iu është kërkuar që të përqendrohen në thithjen e informacionit mbi organizimin e protestës së opozitës gjatë ditës së sotme.
Informacione të ndryshme mbi organizimin e protestës nga ana e opozitës Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), mësohet se ka nisur të kërkojë, shumë javë përpara organizimit të saj, ndërsa me afrimin e protestës SHISH ka intensifikuar informacionet për kryerjen e saj.
Që në fillim të javësh punonjësve të SHISH iu është komunikuar urdhri që nuk lejohet të marrin asnjë ditë leje dhe se do të jenë në punë 24 orë edhe gjatë fundjavës. Ata do të qëndrojnë në gjendje gatishmërie deri kur të përfundojë protesta e opozitës. Madje disa prej tyre do të bashkohen me protestuesit për të dërguar informacione nga brenda kampit opozitar.
Policia
Të njëjtat burime pohuan dje se në gatishmëri të plotë ka kaluar Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës. Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin" nga burime të Policisë së kryeqytetit, të cilët sqaruan se kalimi në gatishmëri të plotë është kryer me qëllim kontrollimin e situatës dhe me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së protestës së Partisë Socialiste.
Por policia nuk ka sqaruar lejen që i është dhënë PS-së për të protestuar. Socialistët kanë kërkuar një leje të gjatë ndërsa burimet zyrtare të policisë së Tiranës pohuan se ende nuk është vendosur se sa do të lejohet vazhdimi i protestës.
Masat
Zyrtarisht Policia e kryeqytetit nuk lajmëroi masat që do të merrte për mbarëvajtjen e protestës së sotme, me qëllim shmangien e problemeve të mundshme. Zyrtarë të policisë së kryeqytetit thanë dje se masat që do të merren janë të njëjta me ato të marra në raste të tjera të ngjashme, por pa specifikuar në mënyrë konkrete ato dhe rrugët që do të ndiqen.
Në këtë mënyrë, policia e kryeqytetit duket se iu shmang publikimit të masave që pritet të zbatohen nga ana e saj gjatë ditës së sotme, me qëllim garantimin e rendit. Zakonisht policia njofton një ditë përpara edhe për akset rrugore që do të bllokohen apo vendet ku nuk do të lejohet parkimi.
Plani i policisë për protestën e opozitës
Edhe pse policia nuk preferoi të publikonte masat, "Shekulli" ka mundur të sigurojë "planin sekret" për ruajtjen e rendit gjatë protestës së opozitës.
Fillimisht efektivët e komisariateve nr. 1, nr. 2, nr. 3 dhe nr. 4, do të përqendrohen në qendër të sheshit "Skëndërbej", ku edhe pritet që opozita të nisë marshimin e saj në drejtim të kryeministrisë. Një pjesë e mirë e mjeteve, pritet që të devijohen duke shmangur mbërritjen e tyre në qendër ku pritet të mblidhen mbështetësit e opozitës.
Kështu, pritet që rruga e Durrësit të jetë e bllokuar pranë degëzimit të "Mine Pezës". Po kështu, bulevardi "Zogu i Parë", rruga e "Dibrës" që të sjell në qendër pritet të jetë e bllokuar dhe gjithashtu rruga e "Kavajës".
Më pas pritet që turma të zhvendoset në drejtim të bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe më pas të përqendrohet përballë kryeministrisë. Një veprim i tillë pritet të ndiqet në distancë nga efektivë të shumtë në numër të Policisë së Shtetit të katër komisariateve të Tiranës, si dhe forca të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Gjatë zhvendosjes së tyre në qendër të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", përballë kryeministrisë, pritet që dy krahët e unazës të bllokohen. Në disa nga akset që të çojnë në bulevardin kryesor, pritet që të bllokohet nga policia kalimi i automjeteve të ndryshme.
FNSH dhe forca speciale, dy mijë policë gatishmëri
Veç drejtorisë së Policisë së Tiranës, forcat e të cilës pritet të jenë në vijën e parë të vëzhgimit të protestës, policia e Tiranës, ka marrë edhe mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, si reparti i FNSH- së 712 në Kombinat, FNSH-ja e Laçit, e Fierit dhe Elbasanit.
Në total, është parashikuar që rreth dy mijë policë të jenë në gatishmëri. Këta të fundit mësohet se janë parashikuar të stacionohen në brendësi të objekteve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore si Ministria e Brendshme ajo e Mbrojtjes, Kryeministria etj.
Po kështu, mësohet se ato pritet të vendosen pranë rrugëve dytësore që të nxjerrin shumë pranë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", apo pranë kryeministrisë. Vendi që është parashikuar të ketë më tepër përqendrime të forcave të sigurisë, mësohet se do të jetë godina e qeverisë.
Në të, sipas burimeve, pritet të ketë jo vetëm efektivë të forcave speciale dhe të policisë së kryeqytetit, por edhe përqendrime të forcave të Gardës së Republikës, që kanë detyrë funksionale sigurimin dhe ruajtjen e objekte dhe institucioneve të rëndësishme shtetërore si selia e qeverisë, parlamentit, presidencës dhe funksionarëve të lartë shtetërore.