E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria hapa të mëdha në përmbushjen e reformave për integrimin euroatlantik

Nënsekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Markus Lyra vlerësoi dje hapat e mëdha dhe progresin e dukshëm që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e reformave për integrimin euroatlantik të saj. Ai theksoi se ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se integrimit euroatlantik i Shqipërisë është në rrugën e duhur.
Vlerësimin e tij Lyra e bëri gjatë një takimi me Kryeministrin shqiptar Sali Berisha.
Gjatë takimit, dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u shprehën për forcimin e këtyre marrëdhënieve edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha e njohu Nënsekretarin e Shtetit në MPJ-në finlandeze me reformat e jashtëzakonshme të realizuara nga qeveria shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në reformat ekonomike dhe fiskale në vend. Kryeministri tha se qeveria ka ndërmarrë nisma shumë të suksesshme për krijimin e një klime pozitive për investimet, të cilat kanë bërë të mundur thithjen e investitorëve të huaj dhe ndryshimin pozitiv të imazhit të Shqipërisë në botë. Kryeministri përmendi politikën e taksave të ulëta, shmangien e burokracive të panevojshme për sipërmarrësit duke vënë në funksionim prokurimet elektronike, taksat on-line, nismën “Shqipëria një euro”, “one stop shop” për regjistrimin e bizneseve, reduktimin e licencave, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se investitorët finlandez janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë për krijimin e të gjitha lehtësive të nevojshme për suksesin e biznesit të tyre në Shqipëri.
Në takim, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për rolin e shkëlqyer dhe kontributin e madh të Presidentit Ahtisaari, si kryenegociator i çështjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe për Çmimin “Nobel”, të marrë prej tij së fundi.

Lulzim Basha takim me Markus Lyra
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha priti dje në një takim Nënsekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës Markus Lyra, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të konsultimeve politike dypalëshe, si dhe i ftuar nderi për të referuar në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë.
Ministri Basha falënderoi Lyra-n për pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Ambasadoreve dhe ligjëratën e mbajtur në këtë konferencë. Ministri Basha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për ta thelluar këtë bashkëpunim dhe intensifikuar dialogun politik në të gjitha nivelet.
Ministri Basha bëri një paraqitje të zhvillimeve politike dhe ekonomike nё vend, të ecurisë së procesit tё reformave, të plotësimit të angazhimeve në kuadrin e anëtarësimit të vendit në NATO e BE dhe të luftës me tolerancë zero kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit.
Ministri Basha vlerësoi kontributin dhe rolin e Presidencës Finlandeze të OSBE-së në krizën e gushtit në Gjeorgji dhe nënvizoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm te këtij bashkëpunimi mes vendit tonë dhe kësaj organizate.
Ministri Basha vlerësoi kontributin e Finlandës dhe në mënyrë të veçantë rolin tepër te rëndësishëm të Presidentit Ahtisari për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij Lyra shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve dhe theksoi gatishmërinë e palës finlandeze për të bashkëpunuar në fushat me interes të përbashkët. Ai vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e reformave për integrimin euroatlantik të saj, duke garantuar mbështetjen e Finlandës në përmbushjen e aspiratave të saj për në BE.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›