Kryeministri priti dje në një takim Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA
Kryeministri Berisha i përcjell Presidentit Bush, mirënjohjen e thellë për përkrahjen historike
Kryeministri Sali Berisha, priti dje në një takim Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA
Gjatë takimit, Berisha i shprehu Jones mirënjohjen më të thellë për Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane, për ndihmën historike që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryeministri theksoi se ratifikimi në Senat dhe firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përbëjnë ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që nga njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA.
Kryeministri shprehu falënderimet e tij për ndihmën e pa kursyer amerikane në luftën kundër krimit të organizuar korrupsionit etj. dhe në projekte konkrete si, Llogaria e Mijëvjeçarit, si dhe e njohu zotin Jones me zhvillimet dhe përparimin e reformave në të gjitha fushat në vend.
Më tej, ai theksoi se ngjarje madhore për vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e përgjithshme dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve. Kryeministri siguroi se qeveria po përgatit regjistrin dixhital të shtetasve, kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike.
Po ashtu, Berisha e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Kryeministri dhe qeveria e tij mbeten të angazhuar e të përkushtuar për ligje të standardeve më të mira, për konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe për luftën me tolerance zero kundër krimit dhe korrupsionit.
...