Berisha: Shqipëria me dy qeveri, një Rama dhe një Meta
Kryeministri Sali Berisha komenton takimet e veçanta të Edi Ramës dhe Ilir Metës me ministrat e tyre
“Në selinë e LSI-së, sipas shembullit të Piktorit të disa ditëve më parë, u mblodh nën drejtimin e kryetarit të Parlamentit qeveria “Meta”. Ky është ndryshim! Përpara me dy qeveri”
Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar në Facebook takimet e veçanta të Edi Ramës dhe Ilir Metës, me ministrat e tyre. Në vlerësimin e Berishës, Shqipëria do të ketë dy qeveri, një të Ramës dhe një të Metës. Sipas tij, takimi i Edi Ramës me ministrat e tij një javë më parë dhe ai i Ilir Metës dje, tregojnë se do të kemi dy kabinete. “Mblidhet në selinë e LSI qeveria “Meta””, shkruan në Facebook, kryeministri Berisha. “Të dashur miq, sot në selinë e LSI-së, sipas shembullit të Piktorit të disa ditëve më parë, u mblodh nën drejtimin e kryetarit të Parlamentit qeveria “Meta”. Ky është ndryshim! Përpara me dy qeveri!”, vijon komentin e tij, kryeministri Sali Berisha. Për herë të parë në histori Shqipëria do qeveriset nga dy kabinete paralele. Kësisoj, partnerët e koalicionit, në dy takime të veçanta kanë thërritur sikush më vete në takime, “ministrat e tyre”. Javën e kaluar ishte Edi Rama ai që rreshtoi pas vetes 14 ministrat e PS, ndërsa spikati mungesa e 5 ministrave të LSI-së. Këta të fundit e justifikuan mungesën e tyre me pushimet verore. Por, vetëm dje do të dilte në pah e vërteta e ekzistencës së “dy qeverive”. Ilir Meta thërret në një takim në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, 5 ministrat e forcës së tij politike, duke i dhënë kështu kuptim ekzistencës së dy kabineteve në qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit prodhuan një rezultat elektoral të tillë që, PS-së nuk i jep komoditetin e qeverisjes së Shqipërisë, pa partnerin e saj kryesor në koalicion, LSI-në. 16 deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim (pa llogaritur 2-3 të fshehurit në listat e PS), fuqizojnë mazhorancën e Ramës, por njëherazi i faturojnë asaj edhe brishtësinë më të madhe që një forcë udhëheqëse e koalicionit ka pësuar në këto 22 vite pluralizëm politik. E thënë shkurt, PS e vetme nuk ka privilegjin të formojë mazhorancën, pasi 65 deputetët e saj, janë as më shumë e as më pak, i njëjti numër mandatesh që ka marrë edhe në 2009-ën, kohë në të cilën ishte dhe mbeti në opozitë. Situata e 2013-ës është ndryshe. Politikisht dhe numerikisht, diferencën e bën LSI dhe për këtë arsye, kjo e fundit ka të gjithë suportin e nevojshëm për të ngritur kabinetin e saj paralelisht me atë të Ramës, meqenëse ky i fundit dhe premtimet e tij antiglobaliste, rrezikon ta çojnë qeverinë e ardhshme në një dështim të shpejtë. Pra, LSI e motivuar nga 3-fishimi i votës së 23 qershorit ka zgjedhur që të konfigurojë edhe profilin e saj si “fituese” e zgjedhjeve, përmes angazhimit politik të 5 portofoleve të saj ministrore, që siç duket detyrë e tyre do të jetë edhe “mbulimi” i gafave të Edi Ramës gjatë fushatës elektorale. Kuptohet Ilir Meta nuk beson te lidershipi i Edi Ramës, pasi ky i fundit nuk shquhet për aftësi ekselente administrative, pasi të vetmet poste që ka shijuar deri më tani janë Ministria e Kulturës ku u akuzua për vjedhjen e ikonave dhe Bashkia e Tiranës, në të cilët akuzat kundër tij për vjedhje dhe korrupsion janë sa mali i Dajtit. Kësisoj, pritshmëritë e tij dhe të qeverisë së drejtuar prej tij, nuk shkojnë në kah të kundërt me standardin e tij në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës. Detyrimisht, një kabinet i ndërtuar me servilë dhe sekserë me të cilët ka ndarë përfitimet 20%-she, duke betonizuar Tiranën, zhvlerësuar pronën private dhe uzurpimin e asaj publike, për interesa të klientelës, domosdo krijon pabesueshmëri qoftë tek partneri i koalicionit, qoftë edhe tek opinioni publik. LSI dhe ministrat e saj, nisur edhe nga përvoja e punëve administrative në qeveri krijojnë epërsi në raport me anonimët e Edi Ramës dhe ky fakt bën që timonin e ekzekutivit ta udhëheqë “tjetri”, edhe thjesht duke ngritur një kabinet paralel. Ndaj, çuditë e kësaj qeverie do jenë të shumta – fundja kjo është “dhuratë” e votës së qytetarëve dhe si e tillë, pritshmëria e funksionimit të dy kabineteve paralele, është në rritje. Ajo që vlen të diskutohet është sesa jetëgjatë do jetë një qeveri me dy koka...