Berisha: “Shqipëria me rrogë mesatare 500 dollarë, Rama të mësojë të lexojë treguesit ekonomikë”
Pas 3 javësh, nis rritja më e madhe e pagave dhe e pensioneve
Në 1 korrik rriten rrogat e pensionet. Deklarata më e fundit ka ardhur dje nga kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi nga mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar demokrat se në 3 javë premtimi do të bëhet realitet.
“Në 1 korrik, 820 mijë familje shqiptare do kenë në fondet e tyre një shtesë të rëndësishme. E kalon 2-7 herë inflacionin që po ulet. Muajin e shkuar inflacioni u ul me 1.2 përqind”, tha Berisha.
Sipas tij kjo rritje e rrogave dhe pensioneve i bën shqiptarët të ndihen më europiane. Kryeministri tha se rritja e rrogave e pensioneve është e mundur nga performanca ekonomike e rezultat i reformave. Kreu i qeverisë tha se rrogat e ulëta do njohin rritje të ndjeshme ndërsa rroga mesatare tashmë arrin në 500 dollarë.
“Kjo është e mundur, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nga performanca ekonomike. është rezultante e suksesit të padiskutueshëm të reformave. Ata që menduan apo që u thanë qytetarëve vjet se rritja e pagave dhe pensioneve po bëhet për qëllime elektorale do të dëshpërohen sivjet me rritjen e re të pagave dhe pensioneve, e cila është më e madhe se vjetshmja. Unë gjykoj se investimi në kapitalin njerëzor dhe ndjeshmëria ndaj kontributit të të moshuarve janë detyrime madhore të kësaj qeverie. Ndaj ne bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, siç theksova dhe në mbledhjen e qeverisë, realisht duke qenë vendi i vetëm që merr një vendim të tillë. Por ne kemi arsye për ta bërë këtë, sepse jemi vendi i vetëm me treguesit e performancës ekonomike më të mirë dhe është plotësisht e mundshme. Kështu që me datën 1 korrik 820 mijë qytetarë, 820 mijë familje do të kenë në kontot e tyre, në portofolat e tyre, një shtesë të rëndësishme që tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin, i cili fatmirësisht po ulet. Muajin e kaluar inflacioni u ul me 1.2 përqind. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve i bën qytetarët shqiptarë të ndihen më evropianë. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve këtë vit e bën pagën mesatare në Shqipëri 500 dollarë, e cila 18 vjet më parë ishte 6 dollarë. Nuk ka një vend tjetër që në 20 vite të ketë pasur një rritje të tillë, 80 herë dhe më shumë të pagës mesatare të punonjësve. Natyrisht, duhet të theksojmë se kjo rritje ka një specifikë tjetër. Ne e gjetëm 230 dollarë në vitin 2005 dhe e bëjmë rreth 500 dollarë në vitin 2010”- deklaroi kryeministri Berisha.
Duke sjellë në vëmendje se rritja e këtij viti do jetë më e madhe se vjet, shefi i ekzekutivit tha se “ata që menduan se rritja e vjetshme ishte elektorale do dëshpërohen”.
“është e dhimbshme kur shoh opozitën që nga mëngjesi deri në darkë flet për borxhin me të njëjtën urrejtje siç flitej dikur për kapitalizmin dhe borxhin e tij. Me këtë logjikë Enver Hoxha pati ndaluar me Kushtetutë marrjen e borxhit, pavarësisht se e zhyti vendin në mënyrën më anti-kushtetuese dhe në mënyrën më të tmerrshme në borxhe. Ai e shkruaji në Kushtetutë dhe këta kanë nostalgji. Absolutisht, të vetmet parime dhe koncepte që njohin janë ato të etërve të tyre që trashëgojnë. Flasin, mërmërisin, hungërijnë nga mëngjesi deri në darkë për borxhin. Unë dua tu them qytetarëve shqiptarë se kjo qeveri e ka gjetur borxhin 72 përqind të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa sot është 59 përqind. Në strukturën e tij është një nga borxhet më të mira që mund të ekzistojnë. Pjesa dërrmuese e tij, 60 përqind, është në lekë. Edhe pjesa tjetër është në kredi të buta ose mjaft të favorshme nga institucionet ndërkombëtare. Ndaj, i them zotit Rama të lexojë pak më shumë, të thellohet pak te borxhi dhe struktura e tij”- deklaroi kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se shumë shpejt do të publikohet një raport ndërkombëtar që e bën Shqipërinë si referencë për zhvillimin e qëndrueshëm të saj.
“Ekonomia ka një start të admirueshëm. Shumë shpejt ju do të njiheni me vlerësimet e një raporti ndërkombëtar më të fundit për Shqipërinë, i institucionit për serioz në Evropë, i cili e bën ekonominë shqiptare dhe Shqipërinë si referencë për suksesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Kjo është meritë e reformave që janë ndërmarrë nga qeveria, që janë votuar në Parlament dhe janë mbështetur nga Parlamenti”- tha kryeministri.
Duke iu rikthyer edhe njëherë rritjes së rrogave dhe pensioneve, Berisha tha se qeveria nuk do heqë dorë ndonjëherë nga këto parime. “Ne ndjehemi të lehtësuar, sepse u kemi faktuar qytetarëve shqiptarë respektin për mundin, djersën, punën dhe përkushtimin e tyre; sepse kemi faktuar në mënyrën më të ndershëm se për këtë qeveri i pari është qytetari; sepse kemi faktuar se me këtë politikë kemi bërë rritjen minimale të rrogave më të larta dhe rritjen maksimale të rrogave më të ulëta. Kështu janë vendet demokratike. Ne trashëguam një hapësirë me diferencë 1 me 11 dhe e kemi sjellë tani në 1 me 5 apo 1 me 6. Janë tipike raportet e vendeve të qytetëruara perëndimore. Brezhnjevi dhe Enveri i kishin ato raporte. Punëtori merrte 4 mijë, Spiro Koleka merrte 36 mijë. Kjo është e vërteta, dhe vazhdoi gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes socialiste. Atë ndërtesë që ndërtuam duke pasur parasysh parimet e barazisë shoqërore, natyrisht jo identike, e lamë 1 me 5 raportin, e bënë 1 me 11, tani e kemi 1 me 6 dhe do ta çojmë në 1 me 5 raportin e rrogës së lartë me rrogën mesatare. Sikundër, edhe kësaj here vazhdojmë rritjen më të madhe për rrogat e ulëta. Në qoftë se të lartat thjesht do të indeksohen, rrogat e ulëta do të njohin rritje të ndjeshme. Kjo është, mendoj unë, politikë sociale, politikë e zemrës së dhimbsur. Ne nuk heqim dorë nga ato parime”- deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Rritja e fundit e pagave dhe pensioneve u bë në maj të vitit të kaluar, ndërsa nga 1 korriku i këtij viti e në vazhdim, Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë standardit evropian të pagesave.