Së shpejti nis nga puna ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan
Programi i qeverisë për vitin 2010 - asfaltim 100 përqind të rrugëve që zbresin drejt detit
Qeveria shqiptare është e zotuar të çojë përpara projektet e saj madhore drejt modernizimit të infrastrukturës rrugore. Kryeministri Sali Berisha dha dje garanci të plota qeveria do asfaltojë të gjitha rrugët me dalje drejt detit. Në fjalën e tij para deputetëve të grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se në themel të programit të qeverisë është ndërtimi i infrastrukturës rrugore. Në këtë kontekst Berisha deklaroi gjithashtu se brenda pak ditësh fillon nga puna ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan. “Ju garantoj se programet e qeverisë po ecin në të gjitha drejtimet. I pari program që realizohet është që të gjitha rrugët që zbresin drejt detit brenda 2010 do të jenë të asfaltuara 100 përqind. Dhe kjo po ndodh, të nderuar deputetë. Shumë shpejt do të fillojmë autostradën Tiranë – Elbasan, e cila ka vlera kolosale. Përfundoi edhe projekti i tunelit të Qafë Murrizit, sepse u shty pasi në atë kohë që ishte bërë projekti struktura ishte krejtësisht e papranueshme për tunel. Ata kaluan në një kuotë tjetër dhe me sa duket kjo kuotë është shumë e përshtatshme për tunel. Kështu që qeveria i vazhdon projektet e saj me Boshtin e Jugut, me rrugën e Arbrit, rrugën Qafë Plloçe – Librazhd, e me radhë”- tha kryeministri.
Duke iu referuar sulmeve të opozitës, shefi i ekzekutivit deklaroi se kupola e bllokmenëve le të vazhdojë me këngën e zisë, qeveria ecën përpara. “Ne do të bëjmë punë, ai le të këndojë bashkë me kupolën e tij këngën e krizës, këngën e zisë. Zoti e ndihmoftë!”- tha më tej, shefi i qeverisë, Sali Berisha.